16 Prill 2024

Belgjika mbyll dyert për të gjithë azilkërkuesit

Bruksel, 2 mars - Autoritet belge do të refuzojnë të gjitha kërkesat për azil nga shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë, bëjnë të ditur mediat serbe.

Pas liberalizimit të vizave, me mijëra qytetarë nga vendet e Ballkanit kanë parashtruar masivisht kërkesa për marrje të azilit, vendosje dhe asistence financiare. Ndërkohë, Belgjika këto kërkesa do t’i refuzojë si të pabaza.

Në analizat e tyre, siç transmetojnë mediat serbe, evropianët mund të rishohin vendimin e heqjes së vizave për Maqedoninë dhe Serbinë, si pasojë e kërkesës së madhe për azil nga qytetarët e këtyre dy vendeve.

Dy muajt e fundit mbi 1000 familje shqiptare nga Likova dhe Kumanova, kanë aplikuar për azil në Belgjikë. Ministria e Jashtme e Maqedonisë, thotë se qytetarët janë manipuluar. Gjasat për të marrë azil në BE janë zero.

Vetëm tre muaj pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të regjimit të vizave, në Maqedoni ka dalë në sipërfaqe keqpërdorimi i saj. Familje shqiptare nga komuna e Likovës dhe Kumanovës po udhëtojnë drejtë Belgjikës, ku me të arritur aplikojnë për të fituar statusin e azilkërkuesit. "Më vjen shumë keq kur shikoj pleq, gra, fëmijë duke bredhur rrugëve të Belgjikës, në Namyr, Liezh, Bruksel, të humbur krejtësisht, nuk dinë nga t`ia mbajnë," thotë Abim Neziri, administrator në kryqin e kuq të Belgjikës.

Dukuria ka marrë hov

Që kjo dukuri ka marrë hov të madh e tregon edhe fakti se shumë nxënës të shkollave në Kumanovë dhe Likovë kërkojnë fletëshpërngulje nga shkollat. "Shpresa dhe dëshira jonë është që ata nxënës të kthehen përsëri në bankat shkollore," thotë Emri Rexhepi drejtor i shkollës "Naim Frashëri" në Kumanovë. Ata që kanë marrë vendim për të udhëtuar drejt Belgjikës nuk parapëlqejnë të flasin në mikrofon për arsyet e ikjes. Por, ata thonë se arsyeja kryesore është kriza ekonomike. "Secili ka hallet e veta dhe kushtet ekonomike që mbretërojnë këtu na detyrojnë të marrim këtë rrugë," thotë një banor i Likovës.

Kërkohet durim

Sadulla Duraku, në cilësinë e kryetarit të komunës së Likovës, i drejton një apel bashkëqytetarëve të tij, që të mos bien pre e manipulatorëve të cilët keqpërdorin gjendjen e vështirë ekonomike të këtij rajoni, duke premtuar parajsën në Belgjikë. "Unë mendoj se qytetarët tonë do të jenë të durueshëm, sepse çdo krizë ekonomike do të tejkalohet, sikurse e kanë tejkaluar edhe baballarët tanë," thotë Sadulla Duraku.

Fluksi i madh i shkuarjes së qytetarëve nga Maqedonia në Belgjikë ka detyruar autoritetet belge që të sinjalizojnë qeverinë e Shkupit. "Numri i azilkërkuesve nga Maqedonia vetëm gjatë muajit shkurt ka arritur në 349 persona dhe kjo është 50 përqind më shumë se tërë vitin e kaluar," ka deklaruar ambasadori i Belgjikës në Shkup, Mark Mishellson.

Alarm në Shkup

Zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi, thotë se po merren të gjitha masat për parandalimin e kësaj dukurie. "Tani për tani kthimi i tyre mund të bëhet vetëm në mënyrë vullnetare sepse, sipas konventës së Gjenevës, ata që kanë aplikuar për azil do të marrin përgjigje pas dy muajve".

Abdylkadër Memeti, sekretar shteti në ministrinë e Jashtme vlerëson, se gjasat që qytetarë të Maqedonisë të marrin statusin e azilantit në vendet e BE-së, janë zero. "Gjendja politike, e sigurisë, të drejtat e njeriut në Maqedoni nuk janë në atë nivel të rrezikuar, që vendet e BE-së të pranojnë kërkesat për azil politik. Maqedonia edhe de jure është kandidate për antarsim në BE," thotë Abdylkadër Memeti.

 

Gjithnjë sipas tij, Maqedonia nuk rrezikohet të hiqet nga lista e vendeve që kanë fituar liberalizimin e regjimit të vizave, por ata qytetarë që kanë aplikuar azil dhe marrin përgjigje negative, janë të rrezikuar nga heqja e mundësisë për udhëtim të sërishëm në vendet e zonës Shengen. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)