10 Prill 2020

BE-ja mirëpret formimin e qeverisë së Kosovës

Bruksel, 4 shkurt - Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti formimin e qeverisë së re të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se zoti Borrell, pret intensifikimin e diskutimeve lidhur me bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe Kosovës, reformat dhe bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për punë me institucionet dhe qytetarët e Kosovës në rrugën evropiane. Ka shumë punë përpara për qeverinë e re për të përmbushur detyrimet nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, agjendën e reformave evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik."

"Bashkëpunimi rajonal duhet të forcohet sikurse edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Në këtë kuadër presim rifillimin shpejtë të bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Gjendja aktuale nuk është e qëndrueshme. Nuk ka asnjë alternative për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në reagimin e zotit Borrell.

Ai kërkon edhe ri angazhimin e Kosovës në nismat rajonale në dobi të saj.

“Sfidat me të cilat përballet Kosova janë të mëdha, por të tilla janë edhe mundësitë e Kosovës. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në agjendën Evropiane të Reformave dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë në forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë, përmirësimin e administratës publike për të ofruar shërbime që qytetarët i meritojnë, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike”, thuhet në njoftimin e zyrës së zotit Borrell.

Ai qëndroi javën e kaluar në Prishtinë dhe në Beograd në kuadër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve të bllokuara që nga vjeshta e vitit 2018 kur Kosova vendosi tarifa ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj pavarësisë së saj.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e Kosovës refuzoi edhe thirrjet evropiane e amerikane për heqjen apo pezullimin e tyre.

Ditë më parë gjatë një vizitë në rajon, i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se “Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Prill 2020

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do ta pret në takim Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me situatën aktuale të krijuar nga pandemia COVID-19. (Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Shkolla Finlandeze organizon Konferencën Virtuale “Si të regjistroheni në universitetet më të mira në botë” e hapur për të gjithë nxënësit në Kosovë. (Google Meet, ora 14:00)

- Komuna e Prishtinës promovon tunelin dezinfektues, i vendosur si masë shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID 19. (Oborri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 14:30)

- Studentët e arteve të AAB-së, sjellin ekspozitën e parë virtuale të studentëve në Kosovë. (Transmetim live në faqen e Kolegjit AAB në facebook, ora 17:30)