14 Nëntor 2018

Anëtarët e NATO-s bien dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes

Bruksel, 13 korrik - Presidenti Donald Trump deklaroi fitore në fund të takimit të nivelit të lartë të NATO-s. duke thënë se kishte siguruar angazhimet e anëtarëve të NATO-s për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes, pasi për ditë me radhë udhëheqësi amerikan kishte thënë se Washingtoni po mbante një barrë të tepruar të mbështetjes financiare të aleancës.

"Ata kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme angazhimin e tyre për mbështetjen financiare dhe ne jemi shumë, shumë të kënaqur dhe kemi një NATO shumë, shumë të fuqishme”, tha Presidenti Trump para gazetarëve në përfundim të takimit dyditor të NATO-s.

"Unë kam besim tek NATO. Mendoj se NATO-ja është shumë e rëndësishme, por Shtetet e Bashkuara po paguanin në masën 70 deri në 90 për qind, në varësi të mënyrës së përllogaritjes. Kjo nuk është e drejtë ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se presioni i Presidentit amerikan kishte sjellë si rezultat rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare.

"Mendoj se fakti që kishim këtë diskutim të hapur e bëri të qartë se ne do t’i dyfishojmë përpjekjet për rritje fondesh dhe tregon se mesazhi i qartë nga Presidenti Trump ka pasur efekt”.

Por zoti Stoltenberg nuk konfirmoi pretendimin e zotit Trump se objektivi ishte të arrihej në një kontribut prej 4 për qind deri në vitin 2024. Edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se asnjë nga 29 vendet anëtare nuk kishte rënë dakord për një rritje të fondeve përtej shifrës 2 për qind.

Zoti Trump nuk tha konkretisht se cilat vende ishin angazhuar dhe për çfarë shume. Ai tha se disa vende janë në nivelin e angazhimit për 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe të tjerë kanë rënë dakord që të arrijnë në nivelin 2 për qind.

Zoti Trump tha se ai mund t’i nxirrte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja pa miratimin e Kongresit por tha se kjo “do të ishte e panevojshme” pas angazhimit që morën anëtarët e aleancës.

“Në atë sallë kishte një ndjesi shumë pozitive kolegjiale, shumë të bashkuar, shumë të fortë”.

"NATO-ja është tani një makineri që funksionon mirë”, tha zoti Trump.

Presidenti amerikan kishte kërkuar që në hapje të takimit të nivelit të lartë dyditor që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Gjatë një mëngjesi pune me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, zoti Trump akuzoi Gjermaninë se ishte “rob” i Rusisë pasi kishte lejuar kompaninë ruse të gazit, Gazprom që të ndërtonte naftësjellësin Rrjedha e Veriut, duke kaluar përmes ujrave të saj.

Kërkesat e presidentit në takimin me dyer të mbyllura të enjten, ishin të ngjashme me me ato që ai kishte bërë disa orë më herët në Twitter:

"Presidentët janë përpjekur pa sukses për vite me radhë që të bindin Gjermaninë dhe vende të tjera të pasura të NATO-s që të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre nga Rusia. Ata paguajnë vetëm një fraksion të kostos. Shtetet e Bashkuara paguajnë miliarda dollarë, një shumë e madhe për të subvencionuar Evropën dhe pastaj humbet në aspektin tregëtar”, shkruante ai në Twitter.

Udhëheqësit e NATO-s po shpresonin të enjten që ta mos merreshim më me temën e kërkesës së Presidentit Trump për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe të përqendroheshin tek diskutimet për të përfunduar luftën në Afganistan. Zoti Stoltenberg do që udhëheqësit të bien dakord të mbështesin financiarisht forcat afgane të sigurisë deri në vitin 2024, pavarësisht nga dëshira e vendeve perëndimore për t’i dhënë fund angazhimit në konflikt.

Pas diskutimeve në Belgjikë, zoti Trump ndodhet në Britani ku të bisedojë me kryeministren britanike, Theresa May, e cila gjendet në mes të një konfuzioni politik në vend nga mosmarrëveshjet brenda partive lidhur me kushtet e tërheqjes nga Bashkimi Evropian, njohur si Brexit.

Ka shumë gjasa që itinerari i zotit Trump ta mbajë atë jashtë qendrës së Londrës, ku priten protesta masive.

Pas vizitave në Angli dhe Skoci, zoti Trump do të shkojë në Helsinki për takimin me Presidentin rus, Vladimir Putin.

"Ai nuk është armiku im dhe shpresoj që një ditë të jetë miku im”, u tha zoti Trump gazetarëve kur u pyet për zotin Putin të cilin ai e ka cilësuar si “konkurrent”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 nëntor 2018 - Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me programin 'Ndërtimi i Institucioneve Ndërkufitare Plus',  i cili financohet nga Bashkimi Evropian organizon Forumin Rajonal fokusohet mbi koordinimin dhe harmonizimin rajonal në kontekstin e para-aderimit, si dhe shkëmbimin dhe transferimin e praktikave të mira të vendeve nga Ballkani Perëndimor. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka vizitojnë Kompaninë Rajonale  te Ujësjellësit Hidromorava në Gjilan. (Objekti i KRU Hidromorava, ora 9:00)

 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Ekipi i OKB-së në Kosovë, së bashku me UNWOMEN organizojnë diskutim lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm pak para fillimit të fushatës 16 Ditët e aktivizmit. (Qendrën e konferencave Orion, ora 9:15)

- Përfaqësues të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Shoqata e familjarëve të personave të zhdukur "27 Prilli 1999-Meje" raportojn para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me zhvillimin e punimeve në kompleksin memorial në Meje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.(Zyra e krytarit Haziri, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Organizatorët e fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” organizojnë tryezë me qëllim të diskutimit të të arriturave të komunave të rajonit të Prishtinës në fushatën e pastrimit nga data 15 shtator e deri më tani. (Restorant “Pylli i Arinjve” në Badovc, ora 10:00)

- E ngarkuara me Punë Colleen Hyland dhe Kryeministri Ramush Haradinaj do të flasin në hapjen e edicionit të dytë vjetor të Konventës së Veshmbathjeve të Kosovës. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa  në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Gjykatat, Projektkodi Penal i Republikës së Kosovës, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ejt. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës do të nënshkruaj Memorandum Mirëkuptimi me ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Ambasaden e Republikës Federale të Gjermanisë. (Zyra qendrore e ATK-së, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të shqyrtohet  raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka vizitojnë punishten e projektit “Lumi Mirusha” dhe projektin e Digës e Përlepnicës. (Gjilan, ora 10:40 - deklarata për media në Përlepnicë, ora 11:20)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi se bashku kryetarin e Kamenicës, Qendron Kastrati vizitojnë projektin “Ruajtja e ambientit dhe rekreacionit në  Kamenicë”, SHMLP “Andrea Durrsaku” në Kamenicë. (Kamenicë, ora 12:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizohet aksion pastrimi në Komunën e Kamenicës. (Oborri i objektit të ri të Komunës së Kamenicës, ora 12:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi se bashku kryetarin e Kamenicës, Qendron Kastrati vizitojnë projektin “Renovimi i Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë. (Kamenicë, ora 12:30)

- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe Bordit i Trepçes raportojn para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me funksionalizimin e Ndërmarrjes Trepça. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Me rastin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Didier Chabert dhe Christian Heldt do të flasin para studentëve kosovarë për përvojat e pajtimit franko-gjerman. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 13:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi se bashku kryetarin e Kamenicës, Qendron Kastrati mbajnë konferencë për media. (Lagja Malësia në Kamenicë, ora 13:20)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Ferizaj. (Qendra e Kulturës në Ferizaj, ora 17:00)

- Në kuadër të aktiviteteve që shënojnë javën e ndërmarrësisë, Cacttus Education organizon diskutimin publik me temë Ndërmarrësia në TIK- Tejkalimi i sfidave gjatë krijimit të një biznesi në fushën e TIK-ut. (Inovation Center Kosovo, ora 17:00)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban takim me të rinjtë e Nismës në Kaçanik. (Restorant Egzona në Kaçanik, ora 19:00)