20 Shkurt 2020

60 persona vdesin nga sulmi në një dasmë në Kabul

Kabul, 18 gusht - Një bombë ka shpërthyer në një sallë dasmash në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, duke lënë të vdekur 63 persona dhe duke plagosur më shumë se 180 të tjerë.

Dëshmitarët i kanë thënë BBC-së, se sulmuesi vetëvrasës ka kryer sulmin gjatë një ceremonie të dasmës.

Shpërthimi ka ndodhur në perëndim të kryeqytetit, kryesisht të populluar me myslimanë shiitë.

Ende nuk dihet se kush ka kryer këtë sulm.

Militantët myslimanë sunitë, duke përfshirë, talibanët dhe grupin militant, Shteti Islamik kanë kryer sulme në zonat e banuara me myslimanë shiitë në Afganistan dhe Pakistan.

Ministria e Brendshme afgane ka konfirmuar se ka dhjetëra të vdekur si pasojë e sulmit.

Në disa pamje në rrjetet sociale janë parë trupa të vdekur në sallë, dhe tavolinat e karriget të kthyera mbrapsht.

Në dasmat afgane zakonisht janë të ftuar qindra persona, dhe zakonisht burrat janë të ndarë nga gratë dhe fëmijët.

Mysafiri, Mohammad Farhag, ka thënë se ka qenë në zonën e grave kur ka dëgjuar një shpërthim masiv në anën e burrave.

“Të gjithë kanë dalë jashtë duke bërtitur dhe duke qarë”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve AFP.

“Për gati 20 minuta salla ka qenë e mbushur me tym. Pothuajse të gjithë burrat që kanë qenë aty janë të vrarë apo të plagosur.

Dhëndri i dasmës, Mirwais ka thënë për një televizion lokal: Familja ime, nusja ime janë të shokuar, nuk mund të flasin. Kam humbur vëllanë, shokët, familjarët. Nuk do të jem i lumtur kurrë më.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani e ka përshkruar sulmin si “barbar” në një postim në rrjetin social, Twitter.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujaheed, e ka “dënuar ashpër sulmin”.

“Nuk ka arsyetim për vrasje të tilla dhe shënjestrim të grave dhe fëmijëve”, ka thënë Mujaheed.

Ky sulm ka ndodhur 10 ditë pasi një sulm i madh me bombë jashtë stacionit policor në Kabul ka lënë të vdekur 14 persona dhe ka plagosur gati 150 të tjerë.

Talibanët patën marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Tensionet në këtë shtet kanë qenë të larta, pavarësisht pse talibanët dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë mijëra trupa ushtarake në Afganistan, është raportuar se janë afër arritjes së një marrëveshjeje për paqe.

Talibanët dhe përfaqësuesit amerikanë kanë mbajtur një varg bisedimesh në kryeqytetin e Katarit, Doha, dhe të dyja palët kanë thënë se është arritur përparim.

Të premten presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë përmes një postimi të Twitter se të dyja palët “synojnë të arrijnë një marrëveshje, nëse është e mundur”.

Në marrëveshje përfshihet një tërheqje e përkohshme e forcave të SHBA-së në këmbim të zotimit të talibanëve se Afganistani nuk do shfrytëzohet nga grupet ekstremiste për të sulmuar shënjestrat amerikane.

Sipas marrëveshjes, talibanët duhet të nisin negociatat edhe me delegacionin afgan, duke mos hedhur poshtë as armëpushimin.

Militantët talibanë kanë refuzuar që të negociojnë me qeverinë afgane, meqë ata e konsiderojnë këtë të fundit kukull të perëndimit.

Ata tani kontrollojnë më shumë territor se asnjëherë më parë, prej kur janë larguar nga pushteti më 2001.

/REL/

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 shkurt 2020 - Administrata Tatimore e Kosovë do të mbaj seminar me tatimpaguesit e regjionit të  Prishtinës ku prezent do të jetë edhe Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova do ta pres në takim ambasadorin bullgar në Kosovë. (Zyra e Kretarit Haziri, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit mban diskutimi publik lidhur me Draft Planin Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë dhe Planin Lokal për Veprim në Mjedis. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 11:00) 

- Bëhet konstituimi i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit te donacionit për qerdhën “Gëzimi Ynë” në Istog nga Ambasada e Bullgarisë. (Qerdhja “Gëzimi Ynë” në Istog, ora 11:30)

- Mbahet ceremonia e promvimit të librit" Obstetrika",  të Prof. dr. Shefqet Lulaj. (Bibloteka Kombëtare "Pjetër Bogdani", ora 12:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të mbajë konferencë për media. (Objekti I Ministrisë, ora 13:00)

- Promovohet revista “Intro”, që është produkt i punës së studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë, në kuadër të lëndës "Menaxhim i medias". (Amfiteatri i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ora 14:00)

- Komuna e Mitrovicës mban debat publik lidhur me rregulloren për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës të Mitrovicës, ora 14:00)