07 Dhjetor 2021

UP me program Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore

Prishtinë, 20 tetor - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe programi i financuar nga Zvicra, “Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë” (IWRM-K) kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e Programit Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë.

Sipas këtij bashkëpunimi, programi i studimit do të udhëhiqet nga UP-ja, në bashkëpunim me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, si dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Nënshkrimin e marrëveshjes për nisjen e implementimit të këtij programi studimor e konsideroi si shumë të rëndësishëm për vendin rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti.

“Kemi nderin ta nisim këtë partneritet të veçantë, i cili do të rezultojë me një kurrikulë moderne. Duke marrë parasysh ndryshimet e vazhdueshme globale, ky program i cili do të implementohet në më së paku dy fakultete dhe në dy universitete partnere, është i rëndësisë së lartë edhe për vendin tonë”, tha Sahiti në fjalën e tij. Rektori Sahiti njëherësh falënderoi mbështetësit e këtij projekti për ndihmesën e dhënë në nisjativën për realizim të këtij programi.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm z. Laurent Torche, zëvendësdrejtor i Zyrës për Bashkëpunim Zviceran. Ai deklaroi si në vijim: “Këtë program të masterit e shohim si një prej investimeve më të rëndësishme zvicerane në sektorin e ujit në Kosovë. Është një investim në ardhmërinë e Kosovës, veçanërisht investim te të rinjtë, të cilët do të marrin përgjegjësi në menaxhimin e resurseve ujore, bazuar në shkathtësitë dhe praktikat më të mira.”

Për t’ia rritur vlerën e shtuar praktike, universitetet partnere do të përpiqen të krijojnë një program studimi të orientuar në zgjidhjen e problemeve, i cili është i bazuar plotësisht në specifikat e kontekstit të menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë. Po ashtu, ky program do të bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare të programeve të ngjashme.  

“Programi master do të krijojë edhe një platformë, e cila do t’i sjellë më afër njohuritë dhe përvojat zvicerane në menaxhimin e resurseve ujore për universitetet dhe studentët e Kosovës. Përmes këtij programi, universitetet partnere do të mund t’u qasen lehtësisht homologëve të tyre zviceranë për shkëmbime dhe kërkime akademike”, shtoi Torche nga SCO-ja.

Në anën tjetër, dr. Dimitrija Sekovski, udhëheqës i ekipit të IWRM-K, foli për hapat tutje të implementimit të këtij memorandumi. “Ky investim do të shkoj në pajisje, laboratorë, në mbështetjen e kërkimit shkencor dhe në aspekte të tjera që janë të nevojshme për realizim të programit. Njëherësh, ky investim paraqet mbështetjen më domethënëse që kemi bërë për rininë tonë”, theksoi Sekovski.

Në përkrahje të këtij programi master, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) do të sigurojë një grant në vlerë prej 150,000 eurosh. Financimi i ofruar nga programi IWRM-K do të përdoret nga universiteti nikoqir dhe universiteti partner, për t’i angazhuar kapacitetet e nevojshme për organizimin e suksesshëm të këtij programi master.

Zhvillimi dhe akreditimi i programit master do të fillojë në periudhën e ardhshme 1-2 vjeçare, për të filluar më vonë edhe me regjistrimin e studentëve të interesuar për t’u bërë profesionistë të menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë.

Implementimi i këtij programi është parë si nevojë kombëtare në zhvillimin e kapaciteteve afatgjata për administrimin e resurseve ujore në nivel kombëtar dhe të pellgjeve lumore në përputhje me prioritetet socio-ekonomike dhe politike të Kosovës, si dhe me nevojat e zhvillimit të qëndrueshëm në të ardhmen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 dhjetor 2021

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Ambasada Franceze, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Espace Campus France, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin AAB organizojnë hapjen e Panairit Universitar Francez në Kosovë i cili do tu mundësoj studentëve kosovarë të zbulojnë programet akademike të ofruara nga 30 universitete dhe 16 webinare nga Franca. (Universitetin AAB, ora 10:00)

- Ministri i  MMPHI Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të përformancës "Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)  

- VentureUP në partneritet me Sustainability Leadership Kosova dhe financuar nga UNDP organizon ditën e garës finale e eko-startup-eve të Programit Green Hub. (Amfiteatri i objektit të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtimin raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 12:00)

- Të rinjte e iniciatives “Hajde në shkollë” organizojnë forum teatrin që ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit në mesin e të rinjve në komunën e Klinës. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 14:00)

- Kosovo 2.0 dhe Fondacioni 17  organizojnë diskutimin lidhur me mobilizimin e komunitetit për ruajtjen dhe rikthimin e hapësirave të përbashkëta publike, me fokus në historinë e tri kinemave që i shpëtuan privatizimit. (Kino Armata, ora 17:00)

- OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” organizojnë diskutimin "Le të flasim" i cili synon të sjellë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin tek audienca në lidhje me diskriminimin racor, martesat e hershme, gjuhën e urrejtjes në institucionet publike dhe rrugën e edukimit mbi dy dekada. (Kino Armata, ora 19:00)