27 Shtator 2022

Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tiranës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë, 6 korrik - Me qellim që në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë të nxiten dhe të zhvillohen shkenca, arti, edukimi fizik dhe sporti; të formohen specialistë dhe të përgatiten shkencëtarë të rinj; të ofrohen mundësi të barabarta për të përfituar nga arsimi i lartë dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës; të integrohet mësimdhënia me kërkimin shkencor; të nxitet bashkëpunimi dhe ndërkombëtarizimi në fushën e arsimit të lartë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti i Tiranës kanë nënshkruar sot marrëveshje të bashkëpunimit.

Në ambientet e rektoratit të UP-së, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe rektori i UT-së, prof. dr. Artan Hoxha, nënshkruan memorandumin, me anë të të cilit palët shprehin gatishmërinë për të bashkëpunuar për hartimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, si edhe për zhvillimin e çdo lloj veprimtarie apo aktiviteti tjetër të nevojshëm në fushën e arsimit të lartë.

Rektori Sahiti tha që UP-ja ka një numër të madh të marrëveshjeve të nënshkruara me universitete nga mbarë bota, por bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës e sheh si shumë të veçantë. Rektori theksoi që palët kanë paraparë veprime konkrete në kuadër të memorandumit, në mënyrë që bashkëpunimi të jetë efektiv dhe i zbatueshëm.

“Nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik, UP-ja dhe UT-ja do të shkëmbejnë nga një profesorë nga çdo fakultet përkatës, për të mbajtur një cikël të ligjëratave njëjavore në universitetin partner. Po ashtu, është paraparë edhe konkretizimi i modaliteteve të shkëmbimit të studentëve, në mënyrë që studentëve, përveç përvojës akademike, të mund t’u njihen kreditë e fituara nga këmbimi në universitetet reciproke”, tha rektori Sahiti, teksa përmendi disa nga pikat e bashkëpunimit në kuadër të kësaj marrëveshjeje.

Në anën tjetër, rektori Hoxha theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet një moment të rëndësishëm edhe për Universitetin e Tiranës.

“Me anë të këtij bashkëpunimi, ne kemi marrë përsipër që, nëpërmjet stafeve tona dhe studentëve tanë, të kontribuojmë më shumë në perspektivat e vendeve tona drejt zhvillimeve dhe integrimeve që na presin dhe të jemi më të vlefshëm për shoqërinë në fushat e studimit që i ofrojmë,” tha rektori Hoxha, duke shtuar që Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë prioritet integrimin e ndërsjellë, para atij evropian.

Në marrëveshjen e nënshkruar sot, UP-ja dhe UT-ja është paraparë të bashkëpunojnë edhe në hartimin dhe aplikimin në projekte kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare; në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, siç janë: konferencat, simpoziumet, punëtoritë, shkollat verore apo dimërore; në shkëmbimin dhe përdorimin e literaturës shkencore dhe platformave online, si dhe të tjera fusha të rëndësishme për studentët dhe stafin e të dyja universiteteve.

 

--

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022  - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)