15 Nëntor 2019

Themelohet Qendra për Karrierë në Shkollën Profesionale “Shtjefën Gjeçovi”

Prishtinë, 24 tetor - Duke e kuptuar rëndësinë e orientimit për karrierë për nxënësit e shkollave profesionale, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) ka themeluar Qendrën për Karrierë në SHMLT “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.

Kjo qendër, inagurimi i së cilës do të bëhet është themeluar si rezultat i një partneriteti dhe bashkë-investimi në mes të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur dhe projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicërane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Qendra për Karrierë do të ndihmojë rreth 1,100 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme arsimore, profesionale dhe jetësore, si dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës.

Drejtori i kësaj shkolle profesionale, z. Faik Salihu do ta mirëpresë këtë ceremoni, ndërsa Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti dhe mysafir tjerë nga MASHT, komunat tjera dhe partnerë lokal dhe ndërkombëtarë janë të ftuarit e ceremonisë.

Nxënësit e tanishëm, nxënësit e ardhshëm, nxënësit e diplomuar, të rriturit që braktisin shkollën, bizneset, prindërit dhe komuniteti në përgjithësi do të përfitojnë nga kjo qendër për karrierë.

Kjo qendër gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e regjistrimit të të rinjve në këtë shkollë profesionale, do të përmirësoj vetëdijësimin e prindërve dhe do të forcojë marrëdhëniet me sektorin privat / tregun e punës.

Përveq kësaj qendre për karrierë në Prishtinë, janë themeluar edhe tetë qendra tjera në shkolla profesionale të ndryshme në Kosovë me mbështetjen e projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe në partneritet me institucionet lokale dhe qendrore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019 - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00).

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)