15 Nëntor 2019

Shkolla “Pjetër Bogdani” pranon pajisje për klubet e mediave

Prishtinë, 25 qershor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me udhëheqësin e projektit të arsimit fillor në GIZ, Boris Scharlowski (Zhvillimi i kapaciteteve në arsimin fillor në Kosovë), dhe drejtoren e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, kanë vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me ç’rast është bërë edhe dorëzimi i pajisjeve për klubet e mediave.

Shkolla “Pjetër Bogdani” është një nga 20 shkollat e përzgjedhura për projektin “Shkollat kampione”, i cili fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve në shkollë dhe me pajisjen me materiale të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare. Pra, projekti synon zbatimin e qasjes së integruar për zhvillim të shkollës në shkollat e përzgjedhura dhe po ashtu, synon të forcojë rolin e të gjithë aktorëve në shkollë.

Me këtë rast, ministri Bytyqi ka falënderuar GIZ-in, i cili vazhdimisht ka dhënë një kontribut të madh në sistemin tonë arsimor dhe tha se me këtë partner të rëndësishëm po vazhdojmë me projekte tjera të përbashkëta.

 Ministri shprehu kënaqësinë që kjo shkollë është përzgjedhur të jetë një nga 20 shkollat që do të përfitojnë nga projekti, i cili është diskutuar gjatë mes MAShT dhe GIZ.

Ministri Bytyqi përgëzoi udhëheqësit e shkollës, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit për punën që po bëjnë, pasi që tha se kjo shkollë nuk është përzgjedhur rastësisht të jetë pjesë e projektit.

“Vërtetë kemi nevojë që në shkollat tona të krijojmë ambiente të tilla në mënyrë që t’ia bëjmë sa më të këndshëm nxënësve ambientin shkollor, sepse nxënësit tanë e meritojnë këtë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se po bëhen përpjekje edhe në nivelin qendror, edhe në atë lokal dhe bashkë me partnerët, që ambiente të tilla të krijohen në të gjitha shkollat.

Ndërsa, z. Scharlowski, ndër të tjera tha se ideja për shkollat kampion është që të gjithë akterët e shkollës të bashkëpunojnë për të rritur performancën e shkollës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019 - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00).

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)