28 Mars 2024

Shënohet 7 Marsi - Dita e mësuesit

Prishtinë, 7 mars - Me qëllim të kremtimit sa më dinjitoz të 7 Marsit - Dita e mësuesi, kësaj  dite të madhe për arsimin shqip, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) si dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) do të zhvillojnë një varg aktivitetesh tematike e kulturore.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për herë të parë do të ndajë edhe çmimin “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar, çmim i cili do të jetë tradicional.

Me këtë rast, me mirënjohje për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe edukimit, do të nderohen edhe një numër i mësimdhënësve nga të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Kryeministri  i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar mësuesit dhe punonjësit e arsimit të Kosovës ku sipas tij 7 Marsi na kthen kujtesën tek hapja e shkollës së parë shqipe dhe te angazhimi i pareshtur i rilindësve dhe mësuesve  shqiptarë për emancipim të përgjithshëm kombëtar, kulturor dhe shkencor.

Punonjësit e arsimit në Kosovë sipas tij kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen për të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe pedagogët që kontribuuan në ngritjen e sistemit të arsimit, krijimin e kuadrove profesionale në të gjitha fushat e shoqërisë, shkencës dhe kulturës.

"Qeveria do të angazhohet edhe më shumë për thellimin e reformave në edukim, duke e bërë arsimin njërën nga komponentët themelore të zhvillimit ekonomik të Kosovës së re dhe evropiane", ka thënë kryeministri Thaçi.

Qeveria e Kosovës zotohet se do të bëjë edhe më shumë për ngritjen e cilësisë së edukimit në Kosovë, duke e bërë të konkurrueshëm me standardet më të larta të nivelit ndërkombëtar.
 
Edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, uron të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Republikës së Kosovës për këtë ditë të shenjtë, që simbolizon fillimin e mësimit të shkronjave shqipe dhe hapjen e epokës së dijes për të ardhmen e ndritur dhe të sigurt.

“Për Qeverinë e Republikës së Kosovës e në veçanti Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë, 7 Marsi është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, sepse me këtë datë fillon lëvizja e fuqishme e popullit tonë.

Shkolla shqipe, përveçqë ka qenë vatër e diturisë, ka qenë edhe baza e nismave të mëdha historike në rrugën e shndërrimit të Kosovës në shtet.

Mësimdhënësit kanë qenë ata që e kanë dhënë kontributin e tyre të fuqishëm për pavarësinë e Kosovës, të cilën sot po e gëzojmë.

"Ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e mësimdhënësve për edukim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë."

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të angazhohet për avancimin e pozitës së mësimdhënësve dhe respektimin institucional të dinjitetit dhe të interesit të tyre”, thuhet në urimin e ministri Buja.  

Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, ka uruar të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës.

“Dita e Mësuesit, 7 Marsi, është ditë e atyre që bëjnë gjithçka për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, për ngritjen e njerëzve të së ardhmes së vendit tonë, e njerëzve të dinjitetshëm, që do ta ndërtojnë jetën e tyre në këto hapësira.

"Ne përulemi përjetë para veprës e sakrificës së mësimdhënësve të Kosovës, që përgjatë viteve ’90-të mbajtën ndezur dritën e dijes e të shpresës në këto troje”, thuhet në urimin e kryetarit Mustafa", ka theksuar Mustafa.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)