19 Qershor 2018

Rezultatet e testit të maturës do të jenë më të besueshme

Prishtinë, 12 qershor  - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim, në të cilën u fol për organizimin e testit të Maturës Shtetërore 2018, si dhe tema tjera me rëndësi.

Ministri Bytyqi i njoftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar për ecuritë dhe administrimin e testit të Maturës, me ç‘rast theksoi se menaxhimi i këtij testi, të organizuar për herë të parë në katër regjione, e ka lehtësuar punën dhe ka pamundësuar parregullsitë në masë të konsiderueshme.

“Mendoj se është arritur qëllimi primar i ndarjes në katër regjione të mbajtjes së testit të maturës, i cili kishte për synim të menaxhohet më mirë dhe dukuritë negative që kanë ndodhur në të kaluarën të mos na përsëriten“, tha ministri Bytyqi.

Më tej, ministri Bytyqi tha se, MAShT duke filluar nga Divizioni për Standarde dhe Vlerësim, ka bërë përgatitjet e duhura në bashkëpunim edhe me DKA-të dhe kjo ka dhënë rezultat të mirë, ndërsa mbajtja e testit në katër regjione ka bërë që testi sivjet të jetë më mirë se çdoherë tjetër.

“Nëse do të bënim një përkufizim të përgjithshëm, them se rezultatet e testit të Maturës, do ta kenë një përqindje më të lartë të realitetit, apo besueshmërisë se sa ka qenë në vitet e kaluara“, theksoi ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi theksoi se këtë vit testit  i kanë nënshtruar  27 737 nxënës, ndërsa për shkak të parregullsive janë përjashtuar 56 nxënës dhe 8 administratorë, ndërsa nxënësit e përjashtuar do të kenë të drejtë testimi në afatin e dytë.

Në vazhdim të këtij takimi, u fol edhe rreth organizimit të tryezës së rrumbullakët me Komisionin Parlamentar për Arsim, të iniciuar nga GIZ si prijëse e fushatës “Për një arsim më të mirë në Kosovë”, të lansuar në nëntor të vitit të kaluar, në të cilën tryezë do të ftohen edhe ministri i Financave, kryetari i Komisionit Parlamentar për Financa dhe donatorët përkrahës të fushatës.

Tryeza e rrumbullakët do të mbahet  javën që vjen  dhe ka për qëllim të nxisë avokimin e deputetëve për të bërë arsimin prioritet  edhe në aspektin buxhetor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Qershor 2018 - Mbahet ceremonia e hapjes së edicionit të tretë të konferencës ndërkombtare të Universitetit të Prishtinës - UPISC. (Hotel 'Amazona', ora 9:00)

- Instituti Pedagogjik i Kosovës mban konferencën për media lidhur me publikimin e raportit të studimit “Përvojat e para në vlerësimin e performancës së shkollës në Kosovë”.  (Hotel 'Sirius', ora  9:30)

- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë organizojn simpoziumin shkencor “Vlera dhe ardhmëri të hardhisë dhe verës Vranç”. (Objekti i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë, Rr. “Xhelal Hajta – Toni” Nr. 486, në Rahovec ora 10:00)

- Vazhdimi i Seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Fillon puna e zhvarrimit  të  dëshmorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës në varrezat e fshatit Polac të komunës së Skenderajt, si dhe po të njëjtën ditë fillon rivarrimi në kompleksin memorial në fshatin Marinë të komunës së Drenasit. (Varrezat e fshatit Polac, ora 10:00)

- Drejtori i Inspeksionit nga Komuna e Gjilanit, Nevzad Rushiti mban konferencë me gazetarë. (Ndërtesa e Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), në mbështetje të Zyrës së Bashkimit Evropian, do të organizojë një tryezë diskutimi me gazetarë të të gjitha komuniteteve të Kosovës lidhur me nxitjen e punës së përbashkët mes gazetarëve të komuniteteve të ndryshme dhe mediave në Kosovë. (Orion Conference Center, ora 11:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi organizon tryezë lidhur me prioritetet në fushën e Arsimit Parauniversitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në lansimin e kampanjës “Bëhu zëri im”, e cila nisë me marshin qytetar nga sheshi “Skënderbeu”, deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 12:00)

- Oda Ekonomike e Kosovës do te organizoje konference për media për te diskutuar mbi rëndësinë e anëtarësimit te Kosovës ne Organizatën Botërore të Tregtisë. (Oda Ekonomike e Kosovës, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në lidhje me problemet e mëdha të projektligjit për RTK-në. (Holli i Kuvendit pranë sallës S2, ora 13:00)