25 Shkurt 2020

Rezultatet e testit PISA të shërbejnë në rishikimin e sistemit arsimor në vend

Prishtinë, 24 dhjetor - Rezultatet e testit PISA duhet të shërbejnë si pikë referimi për institucionet shtetërore në rishikimin e sistemit arsimor në vend.

Kjo u tha gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në të cilët u diskutua për rezultatet alarmuese të vendit në testin e fundit të Programit për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve PISA dhe ndikimit të tyre në sektorin privat.

Besnik Krasniqi, hulumtues i çështjeve ekonomike si dhe profesor universitar, tha se rezultatet e testit PISA nuk janë aspak befasuese duke e marrë parasysh se zhvillimi i programeve dhe i metodologjisë së mësimdhënies në Kosovë nuk i aftëson nxënësit për të aplikuar dijen praktike në kontekst specifik.

Ai shtoi se zhvillimi joadekuat i aftësive kreative tek nxënësit ka implikime edhe në sektorin privat, i cili në anën tjetër nuk mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit pa një rol proaktiv të institucioneve shtetërore për dialogu në këtë aspekt.

Gresa Statovci, konsulente e arsimit, tha se shikuar nga kënvështrimi ekonomik, përmirësimi i cilësisë së arsimit është parametri kryesor për zhvillimin e mëtejmë të vendit.

Ajo shtoi se në kuadër të përpjekjeve për përmirësim të gjendjes së sistemit arsimor, Kosova është duke e implementuar kornizën e kurrikulës së re të arsimit, e cila me përmirësime adekuate do të sjellte rezultate më të mira në testin PISA, dhe  rrjedhimisht një fuqi punëtore më të përgatitur.

Statovci theksoi se është e domosdoshme që në hartimin e politikave të arsimit të përfshihet edhe sektori privat në mënyrë që të zvogëlohet hendeku ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës.

Në anën tjetër, psikologu si dhe profesori universitar, Naim Telaku, nga aspekti psikologjik i elaboroi disa faktorë të cilët mund të kenë ndikuar në rezultate të dobëta në testin e PISA-s, siç janë kurrikula e papërshtatshme, përdorimi jo i duhur i teknologjisë, vështirësitë emocionale dhe mos funksionimi i trekëndëshit prind-fëmijë-mësimdhënës.

Shpesh herë roli i mësimëdhënësve dhe qasja e tyre si autoritet i pakontestueshëm rezulton në demotivim të nxënësve, të cilët në të njëjtën kohë hasin një presion të vazhdueshëm nga prindërit e tyre për rezultate më të mira.

Telaku bëri thirrje për zbatim të të gjitha udhëzimeve të nevojshme nga programi PISA për përmirësimin e sistemit të arsimit, duke integruar këtu edhe ndihmën e sektorit privat.

Telaku, mes tjerash, foli edhe për nevojën e një qasje që kombinon inteligjencën emocionale me zhvillimin e aftësive kognitive.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 shkurt 2020 - Konstituohet Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizon konferencë të jashtëzakonshme për media për të shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të formave të abuzimit dhe dhunës seksuale. (Ambientet e organizatës Forumi për Iniciativa Qytetare në lagjen Pejton, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Vendi: (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Demokracia Plus dhe Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike në bashkëpunim me programin e USAID për Fuqizim të Sistemit të Drejtësisë organizojnë konferencën në cilën do të shpalosen rezultatet e Anketës me përdoruesit e shërbimeve të gjykatave. (Hotel Sirius, ora 10:00) 

- Konstituohet Komisioni për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Konstituohet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 11:00)

- Bibloteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politik organizojnë hapjen e ekspozitës "Kujtesa e Kosovës, portrete të Adem Demaqit në pikturë dhe fotografi". (Bibloteka Kombëtare, ora 11:00)

- Konstituohet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- ADMOVERE e mbështetur nga KFOS promovon raportin "Gjendja në Fakultetin e Gjeoshkencave të Universitetit të Mitrovicës". (Hapësirat e rektoratit të UMIB-it në Mitrovicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike mban diskutim lidhur me detyrat me prioritet dhe organizimin e punës së Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 12:00)

- Anibar Festivali Ndërkombetar i Animacionit organizon shfaqjen e filmave nga java e Kinematografisë afrikane. (Kinema Jusuf Gërvalla, 13:00)