12 Nëntor 2019

Regjistrim “online” në UP

Regjistrim “online” në UP

Prishtinë, 13 qershor - Maturantët këtë vit mund të aplikojnë “online” për t’u regjistruar në Universitetin e Prishtinës (UP). Ky shërbim afrohet për herë të parë në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve në UP.


Drejtori i Teknologjisë Informative në UP, Isak Shabani, ka shfaqur shpresën se ky projekt do të rezultojë i suksesshëm dhe se me të do të eliminohen radhët e gjata para dyerve të njësive akademike.


“Jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet për aplikimin ‘online’ nëpërmjet sistemit të menaxhimit elektronik të punëve të studentëve, maturantët këtë vit do të kenë mundësi që formularët për regjistrim, të cilët deri më tani i kanë plotësuar në mënyrë manuale, t’i plotësojnë ‘online’ nëpërmjet internetit prej çfarëdo pike të rruzullit tokësor”, ka thënë Shabani.


Sipas tij, studentëve automatikisht do t’u konfirmohet në email-at e tyre dëshmia se aplikimi ka qenë i suksesshëm.


“Studentët kanë mundësi nga interneti t’i marrin edhe fletëpagesat për regjistrim dhe pagesën ta bëjnë në cilëndo bankë komerciale në Kosovë”, ka shtuar Shabani.


Ai ka treguar se maturantët dëshminë e fletëpagesës së bashku me dokumentacionin fizik siç janë: certifikatat e shkollës së mesme së bashku me diplomën duhet t’i dorëzojnë në fakultetet përkatëse.


Komisionet e caktuara nga fakultet për regjistrimin e studentëve të rinj do t’i verifikojnë një nga një dosjet fizike me përputhshmërinë e aplikimit ‘online’”, ka bërë me dije Shabani.


Ai është i bindur se kjo mënyrë e aplikimit do të funksionojë shumë mirë. “Jemi optimistë 100 për qind, sepse kemi bërë testimet paraprake me të dhëna joreale”, ka treguar Shabani.


Gjithashtu, maturantët do ta kenë mundësi që të gjitha njoftimet t’i marrin në uebfaqet e fakulteteve ku kanë aplikuar.


Ata do të mund të marrin informacione si për sallën ku do të mbahet provimi pranues, orën, datën dhe gjithçka lidhur me provimin pranues.


“Komisionet përkatëse të fakulteteve nëpërmjet sistemit do t’i publikojnë edhe rezultatet finale për të gjithë kandidatë për studentë”, ka deklaruar ai.


Në vazhdim Shabani ka treguar se të gjithë ata kandidatë që do të kenë fatin të regjistrohen për të studiuar në UP do të pajisen me ID kartela.


“Studentët pas regjistrimit do të pajisen edhe me ID kartela, të cilat do t’i përdorin për regjistrim të semestrave dhe paraqitje online të provimeve”, ka thënë Shabani.


EPOKA E RE
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 nëntor 2019 - Mbahet takimi vjetor i ministrave të Bujqësisë së vendeve të Evropës Juglindore me c'rast  Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Republikës së Kosovës, do të marrë edhe presidencën për udhëheqjen e Grupit Drejtues të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore për një vit. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg, organizon Konferencën Ndërkombëtare “Bashkëpunimi Universitet – Industri në Inovacion”. (Lokalet e Universitetit  të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. ora 9:00)

- Mahet takimi i 174-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Ojekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 10:00)

- Zyra Kombëtare e Auditimit bën prezantimin e raportit të auditimit të performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”. (Salla e konferencave “Orion”, ora 10:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media lidhur me pProblemet e bizneseve me bankat komerciale. (Zyret e OAK-së, ora 11:00)

- Lansohet projekti 'Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë' të mbështetur nga MCC dhe MFK i cili synon të ofrojë stimuj financiarë dhe teknik për sektorin residencial që mundësojnë investime në masat e efiçencës së energjisë, si dhe të mbështesë gratë ndërmarrëse në energji dhe sektorë të tjerë. (Hoteli Swiss Diamond, ora 11:00)

- Administratori i Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Mark Green i cili po  qëndron në Kosovë do të marrë pjesë në lançimin e pilot projektit Nxitjet e Efiçencës Energjetike i cili implementohet nga Fondacioni Milenium Kosova dhe financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në bazë të Marrëveshjes “Threshold” të MCC-së në Kosovë. (Hoteli Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin “Borgjezia” e Akademisë, ku do të paraqitet hulumtimi mbi të ardhurat e stafit akademik menaxherial në universitetet publike të Kosovës. (Para objektit të Qeverisë së Kosovës, në sheshin Skënderbeu, ora 11:00)

- Administratori i Agjencisë së ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar Mark Green do të kalojë kohë edhe me të rinjtë me rastin e lançimit të platformës së internetit “Të Rinjtë Prijnë” për t’u krijuar mundësi bartësve të rinj të ndryshimeve të lidhen me rrjete të të rinjve me interesime të ngjashme, mentorë, resurse dhe ngjarje të ndryshme. (Qendra e Rinisë, salla atele, përballë Sallës së Kuqe, ora 15:00) 

- Zhvillohet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- OSBE organizon shfaqjen premierë të dokumentarit “Above the Fold” i cili ofron një tregim narrativ të vështirësive me të cilat përballen gazetarët në sjelljen e informacionit në publik. (Kino ABC, ora 19:00)