23 Prill 2024

Referenti që s’e lodhin kurrë studentët

Prishtinë, 8 janar  - Referenti Syhejl Havolli prej 37 vjetësh është në shërbim të studentëve. Aktualisht punon në Degën e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, por që nga fillimi thotë të ketë qenë në shërbim të studentëve, në ish-Fakultetin Filozofik.

Filozofiku, në vitin 1989 është ndarë në dy fakultete: Fakulteti Filozofik dhe Fakulteti i Filologjisë. Midis këtyre viteve ka pritur dhe përcjellë qindra e mijëra studentë.

Havolli, me një përvojë kaq të bollshme të punës me studentë, e di se si ka frymuar në vitet e para të themelimit dhe si frymon edhe sot ky fakultet.

Ai thotë se jeta e tij është karakterizuar duke bashkëjetuar me studentë. Gjatë bisedës, shpeshherë ndalet  të rrëfejë edhe për gjëra shumë personale të tij, duke treguar se si u ka thënë studentëve nëse kanë gabuar në sjellje.

Megjithëkëtë, në përgjithësi ka fjalët më të mira për gjeneratat që i ka shkolluar Fakulteti Filozofik në Universitetin e Kosovës atëherë, tashti Universiteti i Prishtinës. Bën edhe dallim në sjelljet e studentëve para vitit 1989 dhe pas përfundimit të luftës.

“Atëherë studentët në përgjithësi kishin një distancë më të madhe, si me punëtorët e administratës ashtu edhe me profesorët e tyre”, ka thënë ai. Për studentët e ditëve të sotme, ndërkaq, thekson se janë më të afërt.

Nuk tërheq ndonjë paralele se cila sjellje është më e mirë dhe më e pranueshme, por tregon se si në ditët e sotme studentët nuk ngurrojnë t’i thërrasin profesorët e tyre ose edhe punëtorët në shërbimin e studentëve me pasthirrmën hej.


“Më herë një thirrje e tillë nuk ka ndodhur. Studenti afrohej në sportel, ose në zyrë, kërkonte falje, prezantohej dhe fillonte ta shpërfaqte kërkesën e tij”, është shprehur Havolli, teksa këto kujtime që e kthenin prapa e bënin ta thithte më fuqishëm tymin e duhanit.

E, për këtë të fundit thotë se ka tymosur gjatë dhe e tymos edhe tashti.


“Jam një duhanxhi i pasionuar. Dalë shpesh edhe gjatë orarit të punës, por në sportelin ku unë punoj askush dhe askurrë nuk ka arritur t’i shohë duke pritur në radhë dy studentë”, thoshte Havolli.

Për kohën kur ai e tymos cigaren thotë se e ka një qoshe përjashta objektit të Fakultetit të Filologjisë.

Por ajo që e bën të ndihet mirë atë është se nuk ndodh që studentët ta keqkuptojnë atë.

 
“Asnjëherë nuk më ka ndodhur që dikush nga studentët të më thotë që ta fik cigaren dhe të shkoj për t’i kryer punë”, është shprehur ai, sikur që ka treguar se nuk i ka ndodhur asnjëherë të jetë strikt në orarin e tij të punës.


“Orari i punës ka pak vlerë për mua. Unë dua që t’ua kryej punët studentëve. Ata kanë ardhur nga e tërë Kosova për të studiuar dhe konsideroj se nuk duhet të humbin kohë duke vrapuar pas punëve administrative”, ka theksuar Havolli.

Kuptimi i lirisë

Gjëja që Havolli e vlerëson më së shumti në këtë kohë është liria e studentëve, por edhe e punëtorëve që u shërbejnë atyre.

Bashkëjetuesi me studentët në Universitetin e Prishtinës, Syhejl Havolli, tregon se derisa ishte duke u shërbyer studentëve dhe Universitetit në përgjithësi ishte burgosur për bindjet e tij politike.


“Më 1981 jam burgosur bashkë me 11 intelektualë të tjerë, si Ukshin Hoti, Halil Alidemaj, Muharrem Fetiu e të tjerë. Ky i fundit, deri në pension, pas vitit 2000, gjithashtu ka qenë në shërbim të studentëve në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

Njohësi i studentëve të Universitetit të Prishtinës (Kosovës), nga themelimi e këndej, Havolli e vlerëson kohën pas vitit 1981 mjaft të vështirë, jo vetëm për studentët, por edhe për stafin akademik dhe për shërbyesit e studentëve.


“E para, sepse të gjithë vëzhgoheshin si me llupë. Vështirësia e parë ishte sepse vetvetiu të gjithë ndiheshim të rrezikuar.

Shumë keq ndiheshim kur studentët që i njihnim nga shërbimet burgoseshin dhe persekutoheshin.

Disave u merrej edhe e drejta që të studionin. Me një fjalë, askush nuk mund të ndihej rehat në punë dhe sjellje”, ka thënë ai duke i nxjerrë edhe elementet domethënëse, që, sipas tij, e vlenin.       

“Ishim midis tmerrit në njërën anë dhe shpresës në anën tjetër”, thekson ai. Terrin, ai e bën sinonim të  forcave të errëta, të cilave u pengonin zhvillimi dhe përparimi i shkollës shqipe, përkatësisht shkollimi i gjeneratave të reja, kurse shpresën si sinonim të të rinjve studentë, tek të cilët, siç shprehet ai më shumë se 20 vjet pas, e mbushin korridorin dhe sallat e fakultetit me gjallëri.

Për ditët e sotme Havolli përmend se studentët duket të kenë probleme financiare, që kanë ekzistuar edhe më herët, porse nuk kanë telashe me sigurinë. 

“Ata nuk vëzhgohen nga askush. Jeta e tyre varet nga puna e tyre, nga të lexuarit dhe nga përfitimi i njohurive”, thotë ai.

“Shpesh ndodh që studentët vijnë tek unë për të kryer punë me një buzëqeshje, mirëpo jam i sigurt se kthehen prapa me dy buzëqeshje”, përfundon Havolli me konstatimin se nëse dikush nga studentët me të cilët ka pasur punë ai e thotë të kundërtën, atëherë ai do t’i hedhë si të pavlefshme të gjitha deklaratat e tij.

Mirëpo, imazhin e tij, ashtu siç po deklaronte ai, e kanë ruajtur edhe studentët që kanë pasur punë me vite të tëra dhe që tashti nuk i lidh interesi asgjë me të.

Të tjerët për Havollin

“Syhejl Havolli nuk ka qenë zyrtar i një institucioni që ka punuar për të marrë një pagë.

Ai ka qenë motiv për ne studentëve, për të komunikuar, për të bashkëpunuar, për të punuar dhe për të qenë i hapur me të gjithë”, ka thënë për këtë punëtor të shërbimit të studentëve në Fakultetin e Filologjisë, Afet Bela, ish-student në gazetari, tashti me gradën shkencore master dhe gazetar në një të përditshme informative kosovare.

Sipas Belës, Havolli nuk është i njëjtë sikur zyrtarët e tjerë, “që kur të shohin në rrugë bëhen sikur nuk të shohin”. “Ish-referenti ynë, miku Havolli, të gjithë studentët e gazetarisë i ka mësuar për shumë gjëra që në të ardhmen të kenë një cak.

Shumë herë na ka folur për përvojat e tij, në të gjitha fushat e jetës dhe na ka dhënë leksione se si duhet të zgjidhet një problem që të gjithë të ndahen të kënaqur”, e ka përshkruar Belaj Havollin.

Madje, ai e ka pohuar edhe deklaratën e Havollit se është një poet.

“Shpeshherë na ka folur për poezinë, që e kishte aq pasion, për futbollin që për shumë vjet nuk është ndarë nga ai, për dashurinë dhe për tema të tjera”, ka vijuar Bela, për t’ia dhënë vulën e portretizimit të këtij referenti se “ai është një kozmolit me të cilin Universiteti i Prishtinës duhet të jetë krenar.

“Nuk ka dhe as që do të ketë studentë që nuk do të mbaj mend, së paku një veçori të tij”, ka përfunduar i diplomuar në Degën e Gazetarisë në UP, Afet Bela.


Të tillë e ka vlerësuar edhe Zana Aqifi, ish-studente e gazetarisë në Filologji. 

Ajo ka thënë se referenti Suhejli është ndër referentët më korrektë që ka hasur në Fakultetin e Filologjisë. “Duke pasur një natyrë të hareshme, ai gjithmonë na ka mirëpritur të gjithë studentëve dhe është munduar maksimalisht që t’i kryejë sa më shpejt procedurat administrative për ne.

Ai punon në favor të studentëve, i njeh të gjithë ata studentë të gazetarisë me dokumentet e të cilëve merret dhe ka arritur që brenda tre vjetëve të studimeve të krijojë raporte të mrekullueshme me secilin nga ne”, ka thënë ajo, e cila si veçanti të tij e ka vlerësuar pozitivitetin që ka dhe që e transmeton në komunikim me çdo student.


“Tek Syhejl Havolli nuk ka asgjë kundërthënëse, prandaj është e lehtë të shkruash për të”, shprehet ish-studenti i gazetarisë, tashti gazetar në Klan Kosova, Shkodran Gajraku.

Sipas tij, përderisa në shumë fakultete, degë e katedra universitare studentët heqin shumë nga referentët e nervozuar, të padurueshëm dhe shumë të vrazhdë, këtu gjithçka është ndryshe. “Studentët e  lodhur nga mësimet, e mbase edhe kushtet e rënda socio-ekonomike, i gjejnë aty ngushëllimin, qetësinë dhe mikpritjen në fakultet”, ka thënë ai për ta përshkruar atë si njeri me buzëqeshje, durim të shtuar dhe korrektësi të madhe.

Ai, për aq sa e lejojnë kushtet, u kryen punë studentëve edhe jashtë Degës së Gazetarisë. Ka kohë të punojë me të gjithë  individualisht dhe të kujdeset për dosjet e tyre. Është atraktiv, i papërtesë.


“Me më shume referentë të tillë, Universiteti i Prishtinës do të shquhej, kurse gjeneratat do ta kishin më të lehtë studimin”, thotë Gajraku, për të përfunduar se ai e kryen edhe punën e një psikologu.(Koha Ditore)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)