04 Korrik 2020

Promovohet abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë

Prizren, 17 maj - Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi se bashku me qytetarë të shumtë, mësimdhënës e nxënës kanë bërë madhështore festën e promovimit të Abetarës së përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Ishte zgjedhur pikërisht qyteti historik i Prizrenit për të hyrë edhe në historinë më të re të popullit shqiptar për faktin se përjetoi emocionet e ëndrrës së madhe për Abetaren e përbashkët. Poashtu, ishte zgjedhur që pikërisht 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, të shenjohej me këtë ngjarje të madhe.

Qendra Sportive “Sezai Surroi” në Prizren ishte e vogël për të zënë të gjithë ata që kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare për të përjetuar këtë ngjarje dhe për të qenë dëshmitar nga afër të festës së Abetares që do ta përdorin të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Në këtë festë nuk mungoi as presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryeministri i Kosovës Hashim Thaqi, ministri i Arsimit i Shqipërisë Myqerem Tafaj dhe natyrisht ministri i Arsimit të Kosovë Ramë Buja (i cili ishte edhe ideator i Abetares së përbashkët), ministra të qeverive të të dyja vendeve, deputetë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, përfaqësuesi i familjes Jasharaj Rifat Jashari e shumë personalitete nga jeta publike.  

Nuk munguan as më të zëshmit: nxënësit, sidomos ata më të vegjëlit të cilët do ta kenë fatin që të jenë gjeneratat e para që do të mësojnë me abetaren e re. Përveq bukurisë fëmijërore ata madhështonin këtë festë me dukjen e tyre. Disa kishin veshur bluza të kuqe që simbolizonte flamurin e Shqipërisë dhe disa të tjerë me bluza të kaltërta që simbolizonte flamurin e Kosovës. Bluzat e tyre kishin mbishkrimin “Urime Festa e Abetares”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja tha: “Abetarja u bë, atë po e promovojmë sot, më shumë madhështi, respekt, konsideratë e dashuri dhe me besimin e palëkundur se do të jetoj gjatë. ”.

Ministri përmendi edhe vështirësitë që janë hasur në këtë nismë. “Kur e filluam, nuk e kishim fare të lehtë as unë e as ministri Tafaj dhe as ata që në vazhdimësi u morën me këtë çështje. Madje, kishte edhe të atillë që mendonin se kjo ishte punë nuk nuk bëhej, pra ishte e pamundur. Por, mbështetja e kryeministrave Berisha e Thaçi na bëri të mos njohim pengesa”, tha ai.
 
Ministri Buja theksoi se ky libër është bërë për gjithë gjeografinë shqiptare sepse ai theksoi se të gjithëve na karakterizon një gjuhë, një histori dhe një kulturë.  Por, ai tha se nuk do të ndalemi këtu. “Ne filluam nga libri i parë për të vazhduar me projekte të reja që na avancojnë në arsim dhe shkencë”, tha ministri Buja.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e vlerësoi Abetaren e përbashkët si libër bazë të kulturës dhe si  si një të arritur historike, ndërsa tha se kjo ngjarje po shënohet në kryeqytetin shpirtëror të shqiptareve dhe atë në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Kjo është fitore për të gjithë shqiptarët. Këtë arritje mund ta bëj vetëm një popull i lirë dhe i civilizuar”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi foli edhe për historinë e bërjes së shtetit të Shqipërisë së pavarur dhe bërjes së abetares së parë shqipe dhe të atyre që pasuan.

“Sot kur po e promovojmë Abetaren e përbashkët, Kosova ka hyrë në vitin e trembëdhjetë të çlirimit dhe në vitin e pestë të pavarësimit të saj. Kosova ka të ardhme të ndritur në Bashkimin Evropian. Kjo është abetare e lirisë, demokracisë, e Kosovës evropiane, Shqipërisë evropiane dhe shqiptarëve evropian. Kjo e arritur është rezultat i përpjekjeve tona shekullore”, tha i pari i ekzekutivit të Kosovës.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i falenderoi të dy ministrat e arsimit për realizimin e abetares së përbashkët, të cilin e quajti  “libër i të gjitha librave”.  

“Abetarja ka bërë rrugë shekullore për të arritur në duart tuaja”, iu tha ai fëmijëve të shumtë në sallën e sporteve, ndërsa ftoi ministrat Buja e Tafaj që të prijnë në këtë rrugë. “Të dashur fëmijë, libri që ju merrni sot është Abetarja më e re që botohet të trevat shqiptare, por ajo së bashku me germat, ilustrimet, bartë ëndrrat e vjetra të shumë gjeneratave të shqiptarëve, bart sakrificat e shqiptarëve nga Skenderbeu deri te luftërat çlirimtare, bart idealin e shqiptarëve...”, tha ai.

Kryeministri Berisha tha se kjo Abetare është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe theksoi se nuk kishte mundësi që kjo ngjarje të festohej më mirë se me një abetare të përbashkët.  

“Sot jemi më të vendosur se kurrë që tëpunojmë për bashkimin tonë në Evropë”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Më pas, presidentja Jahjaga, kryeministrat Berisha e Thaqi, ministrat Tafaj e Buja figurativisht bënë zbulimin e shkronjave dhe për disa vogëlushë edhe shpërndanë Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila është punë e ko-autorëve nga të dyja shtetet, Mimoza Xhokutaj dhe Shezai Rrokaj nga Shqipëria, si dhe Saranda Pozhegu dhe Islam Krasniqi nga Kosova.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Korrik 2020

- Shoqata "Miqtë e Amerikës", do të organizojë aktivitet në nderim të 4 korrikut - Dita e Pavarësisë së SHBA ku aktiviteti fillon me pastrimin e sheshit Bill Clinton nga zjarrfikësat e Prishtinës. (Sheshit Bill Clinton, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi do të bëjë shenjëzimin e shtigjeve të biçikletave në hyrje të Fushë-Kosovës, te rrethi i kazermës “Adem Jashari”, bashkë me grupin e çiklistëve “Marakli t’biçikletave”. (Parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Në nderim të 4 korrikut - Dita e Pavarësisë së SHBA pjestarët e Qendrës së Mjekësisë Urgjente të Prishtinë do ta ngrisin flamurin. (Sheshi Bill Clinton, ora 11:00)
 
- Kryeministri merr pjesë në fillmin e fushatë së korrje shirjeve në Kosovë. (Zona Industriale në fshatin Shirokë, Komuna e Suharekës, ora 14:00)