19 Prill 2024

Programi Tempus, financohen projekte në vlerë 2.5 milion euro

Prishtinë, 7 gusht - Gjashtë projekte në vlerë 2.5 milion euro do të financohen nga programi Tempus, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), së bashku me Zyrën e Tempusit në Kosovë dhe Zyrën e Komisionit Evropian kanë mbajtur sot një konferencë për media, ku janë paraqitur rezultatet e thirrjes së fundit për propozime nga Programi Tempus IV.

Në këtë program kanë aplikuar 27 institucione të arsimit të lartë, prej të cilave gjashtë projekte janë përzgjedhur për t’u financuar nga Tempusi, të cilat arrijnë vlerën prej 2.5 milion euro.

Me këtë rast, Naim Hasani, drejtor i Departamentit për Arsimin e Lartë në MAShT tha se ky dikaster po synon ndërtimin e një sistemi bashkëkohor të arsimit të lartë, nivel ky i arsimit, zhvillimi i të cilit është në përputhje me kërkesat që dalin nga Deklarata e Bolonjës.

Ai tha se të gjitha objektivat strategjike për arsimin e lartë gjejnë mbështetje në programin Tempus. Prandaj, drejtori Hasani e falenderoi Komisionin Evropian për kontributin e dhënë në vazhdimësi përmes programit Tempus.

“Programi Tempus përmes projekteve të ndryshme ka kontribuar drejtpërdrejtë në  zhvillimin e kurrikulave, bashkëpunimin me shoqërinë, menaxhimin e universitetit, trajnimin e mësimdhënësve dhe veçmas në fushën e sigurimit të cilësisë, projekte këto që mbulojnë pothuaj tërë sektorin e Arsimit të Lartë – Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Mitrovicës, Universitetin e Prizrenit, si dhe sektorin privat”, tha ai.

Ndërsa, Melvin Asin, përfaqësues i Komisionit Evropian tha se Programi i Tempusit është programi kryesor financiar i BE-së i cili përkrahë universitetet dhe institucionet tjera të arsimit të lartë për modernizim dhe zhvillim të planprogrameve dhe menaxhimit të tyre.

Ai përkrahë mobilitetin në mes të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë dhe Universiteteve Europiane. Asin theksoi se programi Tempus është i dizajnuar për të ndihmuar arsimin e lartë, për të modernizuar dhe zhvilluar programet e tyre.

Ai theksoi se institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë janë bërë shumë të suksesshme në çasjen në fondet e Tempus-it.

Kimete Canaj, Koordinatore e zyrës së Tempusit paraqiti  objektivat e 6 projekteve triumfuese të arsimit të lartë dhe i inkurajoi të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë dhe studentët në Kosovë të konkurojnë me aplikacione të reja dhe studentët për bursa në programin Erasmus Mundus.

”Këto projekte të vlerësuara nga ekspertë të jashtëm kanë karakter inovativ dhe kanë për qëllim modernizimin e Arsimit të Lartë, harmonizimin e planprogrameve me Universitetet Evropiane, ngritjen e cilësisë në mësimdhënie si dhe bashkëpunimin e IAL me Universitetet Evropiane dhe me  Universitetet në regjion”, tha ajo.

Canaj bëri të ditur se projektet e përzgjedhura do të fillojnë nga 15 tetori i këtij viti dhe do të përfundojnë më 14 tetor të vitit 2014 ato 2 vjeqare dhe më 14 tetor të vitit 2015 ato 3 vjeqare.

Projektet të cilat kanë përfituar nga programi i Tempus IV janë:

1.      Inkurajimi i procesit të zhvillimit të kurrikulave bazuar në rezultatet e të nxënit dhe në mësimdhënie të orjentuar në punë kërkimore në institucionet private të arsimit të lartë.

2.      Fuqizimi i universiteteve për të përmbushur përgjegjësinë e e tyre në sigurimin e cilësisë

3.      Reformimi i strukturave ndërdisiplinore dhe inovacioni në arsimin e lartë për profesione të reja

4.      Ristrukturimi i programit studimor të arkitekturës në përputhje me standardet e BE-së, në cikël të gjatë duke e integruar programin master.

5.      Mësimi i përzier: Trajnim i avancuar i mësuesve.

6.      Zhvillimi i rrjetit të trajnimit për përmirësimin e arsimit në efikasitetin e energjisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)