29 Tetor 2020

Përurohet shkolla e re në Magurë të Lipjanit

Magurë, 14 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot mori pjesë në përurimin e shkollës fillore të mesme të ulët "Haradin Bajrami" në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit.

Kryeministri Hoti, duke uruar nxënësit, arsimtarët, prindërit për përurimin e shkollës, ka falënderuar kryetarin Imri Ahmeti për punën që ka bërë në kompletimin e infrastrukturës.

“Unë sot shfrytëzoj rastin që ditën e parë të mësimit, të fillimit të vitit të ri shkollor, t’ju kërkoj të gjithë nxënësve, arsimtarëve, prindërve kujdes maksimal. Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve bashkë me ministrin e Arsimit dhe një grup të Ministrisë së Shëndetësisë, të Institutit dhe me ekspertë të pavarur që të krijojmë kushtet e nevojshme, në mënyrë që nxënësit të mos mbesin prapa”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri para të pranishmëve të shumtë tha se “mësimi nuk merret askund sikur në bankat shkollore, por gjithashtu jemi të rrezikuar me këtë situatë me të cilën po përballemi dhe bashkë mund t‘ia dalim kësaj situate”.

Kryeministri Hoti ka kërkuar me ngulm për kujdes maksimal gjatë mbajtjes së mësimit, duke besuar se kjo shkollë, e cila ka mbi 3 mijë metra katrorë, me kabinete, me gjitha pajisjet e nevojshme, më mirë se asnjë tjetër i plotëson kushtet për të organizuar mësim modern.

Më tej, kryeministri Hoti tha se përveç kësaj shkolle do të ketë edhe plotë projekte të tjera të shkollave, rrugëve, qendrave të mjekësisë familjare dhe vepra të tjera publike që e përmirësojnë jetën e qytetarëve në Lipjan dhe kudo nëpër Kosovë.

Me lutjen që t’u përmbahen kushteve të funksionimit të mbajtjes së mësimit në kushtet e pandemisë, kryeministri Hoti ka uruar kryetarin Ahmeti, arsimtarët, nxënësit dhe prindërit për hapjen e kësaj shkolle.

Pas fjalimit dhe prerjes së shiritit, kryeministri Hoti ka parë nga afër ambientet shkollës së re në të cilën do të zhvillojnë mësimin nxënësit e kësaj shkolle.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 Tetor 2020 - Open Data Kosovo në bashkëpunim me Zyren për Qeverisje të Mirë lanson projektin “Iniciativa për Qeverisje të Hapur dhe të Mirë”, të financuar nga programi MATRA 2020 në kuadër të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Vazhdon seanca plenare e Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin e parë Besnik Tahiri, merr pjesë në tryezën “Reforma e administratës publike: Shtytja e saj përpara”. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Ferizajt ku do te takohet me Kryetarin e Komunës, Agim Aliu. (Zyra e Kryetarit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, e thirrur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit, në Shtëpia e Bardhë, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 188-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Takimi do të organizohet nëpërmjet video konferencës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 10:00) .

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do të pres në takim ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski. (Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, salla P-37​, ora ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi do të vizitojë punimet në ndërtimin e Pallatit të Kulturës. (Afër Qendrës së Inovacionit në Ferizaj, rruga "Brahim Ademi", ora 10:40)
 
- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi pruron fushat e tenisit. (Afër Palestrës së Sporteve "Bill Clinton" në Ferizaj, ora 11:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski mbajnë konferencë për medie. (Salla e konferencave në Qeveri të Kosovës, ora 11:15)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Komunën e Rahovecit. (Komuna e Rahovecit, ora 13:00)