08 Gusht 2022

OSBE zgjeron edukimin për të drejtat e njeriut duke formuar Grupin e trajnuesve


Prishtinë, 3 qershor - Misioni i OSBE-së në Kosovë po mbështetë edukimin për të drejtat e njeriut përmes trajnimit të ca prej të rinjve të shumtë që kanë përfituar nga programet e mëparshme të Misionit.

Ky hap shënon një lëvizje nga praktika e deritanishme e mbajtjes së trajnimeve nga ana e OSBE-së tek një grup të rejash dhe të rinjsh të talentuar të cilët do ta përdorin ekspertizën e tyre në edukimin për të drejtat e njeriut për planifikim dhe realizim të aktiviteteve të propozuara nga Misioni dhe partnerë të tjerë institucionalë.

Që nga viti 2015, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka trajnuar më se 2000 të rinj me prejardhje e përgatitje të ndryshme në fushën e edukimit për të drejtat e njeriut, shkathtësive të moderimit dhe të nxënit ndërkulturor.

Si rezultat i këtyre trajnimeve, Misioni ka identifikuar një grup bazë pjesëmarrësish të cilët kanë treguar gatishmërinë për t’u bërë edukatorë joformalë, duke shtruar kështu rrugën drejt formimit të një grupi trajnuesish.

“Kur fuqizojmë rininë, fuqizojmë të ardhmen” - tha Shqiponjë Kodraliu lidhur me përvojën e saj si pjesëtare e grupit të trajnuesve. “Shkëmbimi i përvojave me profesionistë të tjerë me përgatitje të ndryshme më ndihmon të zhvillohem profesionalisht dhe kontribuon në vendosjen e një standardi më të lartë për trajnuesit,” - shtoi ajo.

“Të rinjtë kanë qenë gjithnjë bosht i ndryshimeve të vërteta në shoqëri. Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka njohur prej kohësh rolin e të rinjve si katalizatorë për paqe dhe siguri. Ne do të vazhdojmë së fuqizuari të rejat dhe të rinjtë për të ndërmarrë iniciativa që do të ndikojnë pozitivisht dhe do t’i formësojnë komunitetet e tyre” - deklaroi zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl.

Javën që shkoi, pjesëtarët e grupit të trajnuesve realizuan aktivitetet e tyre të para për Misionin, gjersa shumë tjera janë planifikuar në muajt në vijim.

Një nga aktivitetet kishte në fokus trajnimin e studentëve të juridikut nga Kosova mbi praktikën gjyqësore mbi të drejtat pronësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë aktivitet të parë bashkëpunues, Besnik Beqaj, pjesëtar i grupit të trajnuesve, i informoi studentët rreth Gjykatës dhe qasjes së saj ndaj të drejtave pronësore, përfshirë ato të komuniteteve joshumicë.

“Një profesori i imi më pati thënë njëherë se ne lartësohemi duke i lartësuar tjerët. Unë e shoh këtë potencial në grupin e trajnuesve të OSBE-së” - tha Besniku.

Duke i marrë për bazë reagimet pozitive të pjesëmarrësve në trajnim, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë që t’i punësojë pjesëtarët e grupit të trajnuesve për të punuar me të rinjtë në avancimin e shkathtësive dhe njohurive të tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2022

 - Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë mban konferencën e Akademikëve të Diasporës. (Parku Shkencor Inovativ i UBT-së në Lipjan, ora 9:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë mban konferencë për media. (Pallati i Drejtësisë, objekti A, ora 11:30)

- Grupi Parlmentar i Lëvizjes Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Holli i Kuvendit. ora 14:00)

- Fondacioni Lumbardhi hap ekspozitën " Çka nëse historia do të na përkiste neve?" të kuruar nga Kumjana Novakova. (Shtëpia e Shani Efendiut në Prizren, ora 20:00)

- Dokufest dhe Lumbardhi organizojnë koncertin e Hercules & Love Affair. (Kino Bahçe!, ora 20:00)