11 Dhjetor 2018

OSBE pajis 15 shkolla fillore në Kosovë me kamera vëzhgimi

Prishtinë, 20 nëntor - Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përfunduar më 19 nëntor 2018 instalimin e kamerave të brendshme dhe të jashtme të vëzhgimit në shkollën fillore ‘Ali Hasi’ në fshatin Cërmjan, komuna e Gjakovës, me qëllim të zvogëlimit të dhunës në shkolla.

Me këtë, numri i shkollave të pajisura me kamera vëzhgimi nga Misioni i OSBE-së shkon në gjithsejt 15.

Projekti është pjesë e përpjekjeve të Misionit për të mbështetur iniciativat e sigurisë në bashkësi që ndërmerren nga komitetet lokale të sigurisë publike (KLSP).

Anëtarët e KLSP-ve kanë identifikuar dhunën në shkolla si problem të vazhdueshëm.
 
“Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, po punojmë vazhdimisht për të promovuar konceptin e policimit në komunitet dhe për të mbështetur KLSP-të në zbatimin e projekteve të sigurisë në mbarë Kosovën. Projekti pasqyron shqetësimet e prindërve dhe udhëheqësve të komunitetit. Shpresojmë që kamerat të kontribuojnë për mjedis më të sigurt shkollor për nxënësit dhe mësuesit ", tha Jan Braathu, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Misioni i OSBE-së planifikon të vazhdojë me instalimin e kamerave të vëzhgimit edhe në shkolla tjera në Kosovë gjatë vitit 2019.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.

Ai mbështet forumet e sigurisë në bashkësi për të kontribuar në rend, siguri dhe cilësi të jetesës në bashkësitë lokale dhe në të gjitha rajonet policore, përmes ngritjes së kapaciteteve dhe dhurimit të pajisjeve përkatëse.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 dhjetor 2018 - Organi Shqyrtues i Prokurimit fillon me transmetim të drejtpërdrejtë “live stream” të sesioneve të tij, një hap ky në drejtim të një qasjeje më transparente nga ana e këtij institucioni. (Zyra e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ish-Banka e Lubjanës, kati i 5-të, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe Komuna e Gjakoves hapin Librin e Zisë, në nderim të Presidentit George H.W. BUSH. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 10:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizohet aksion pastrimi në Komunën e Rahovecit. (Rruga kryesore në fshatin Zaqisht të Rahovecit, ora 10:00)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, do të diskutojë me nxënësit e shkollave të mesme me temë "Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes".  (Kafiteria Dit' e Nat', ora 10:00)

- Kompania vendore 'Produktet Natyrale të Kosovës' organizon ceremoninë e inaugurimit të linjës së re me teknologji të avancuar për përpunimin e farave të kungullit. (Fabrika 'Produktet Natyrale të Kosovës' në fshatin Loxhë në Pejë, ora 11:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës të mbajë konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. (Zyret te BSPK, së ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ngjarjen vjetore të shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze. (Libraria Dukagjini, ora 11:00)

- Mbahet tryeza në të cilën do të diskutohet për pakon ligjore kundër korrupsionit, si dhe për punën e institucioneve të drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-405, ora 11:00)

- Asociacioni i Arkitektektëve të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit bën prezantimin e “Bienales së Arkitekturës 2018”, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit dhe arkitektët në nivel Kosove dhe ata regjional. (Gjilan, ora 13:00)

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon konferencën për shtyp me temë “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve. (Resource Center Kosovo, në lagjen Pejton, në zyre të Forumit për Iniciativa Qytetare, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të organizoj tryezen e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë, për të cilën do të flasin nënkryetarët Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. (Zyrat e PSD-së, në lagjen "Arbëria", ora 14:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në prag të përfundimit të vitit 2018, organizon ngjarjen vjetore për shënimin e të arriturave në vetëqeverisjen lokale në Kosovë si dhe të prezantojë orientimet për vitin e ardhshëm. (Sheshi 21, ora 18:00)