21 Tetor 2019

ORCA kërkon nga kandidatët për deputetë të tërhiqen nga pozita e profesorit

Prishtinë, 2 tetor - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA), sot ka publikuar një hulumtim me temën “Politizimi vazhdon”, i cili tregon lidhjen e profesorëve dhe asistentëve universitar me partitë politike, duke kërkuar që këta kandidatë për deputetë, të deklarohen se do të tërhiqen nga pozita që mbajnë në universitete publike nëse zgjedhen si zyrtarë shtetërorë.

Gramos Buçinca nga ORCA ka thënë se hulumtimi është kryer duke u bazuar në të gjitha listat e partive politike në garë, të cilat kanë prezentuar kandidatët e tyre për deputetë.

“PDK ka 11 kandidatë, LDK ka 11 kandidatë, AAK-PSD 8 kandidatë, VV 5 kandidatë që punojnë si profesorë apo asistentë në universitete publike. Ky numër i madh kandidatësh prej 35 vetash që punojnë si profesorë dhe asistentë në universitete publike, është shqetësues për neve për 3 arsye”, ka thënë ai.

Buçina ka sqaruar se puna si profesor apo asistent në universitet, kërkon përkushtim të madh. Andaj sipas tij, puna me orar të plotë prej 8 orësh, ia pamundëson këtyre kandidatëve që t’i kryejnë të dy punët mirë.

“Është në rastin më të mirë joetike, e në rastin më të keq abuzive, që në një vend ku papunësia tek të rinjtë është 54%, që i bie që çdo i dyti nga radhët tona është i papunë, një funksionar shteti t’i marrë 2 e më shumë paga nga buxheti i shtetit. Na lejoni t’ju rikujtojmë se paga e deputetit që është një nga pagat më të larta në vend, që merret nga buxheti i shtetit. Po ashtu ajo e profesorit në universitet, që merret nga buxheti i shtetit, si dhe ajo e zyrtarëve të partive që merret nga buxheti i shtetit, pasi partitë financohen nga shteti”, theksoi Buçinca.

Ndërkohë që shtoi se aryeja e tretë dhe më e rëndësishme është vetë politizimi i arsimit, i cili sipas tij, po vazhdohet nga deputetët dhe qeveritarët që punojnë edhe në universitete.

Gramos Buçinca tha se e kaluara tashmë e ka dëshmuar se çfarë prodhon përbërja e një Kuvendi dhe Qeverie, me persona që punojnë edhe në universitet. 

“Ata në mandatet e kaluara e kanë bërë pikërisht ligjin aktual, ABSURD,  për parandalimin e konfliktit të interesit, në favor të tyre. Ky ligj u lejon atyre të punojnë, apo më mirë të them, TË MOS PUNOJNË POR TË PAGUHEN PËR 2, 3 E MË SHUMË VENDE PUNE me të ardhura që kapin vlerat e mbi 4000 Eurove në muaj, ndërkohë që 15% e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme. Ne konkludojmë se pavarësisht pallavrave të partive për luftën kundër punësimeve nepotike e partiake, realiteti që shihet në listat e tyre është ndryshe. Ato vazhdojnë të mos pajtohen me kapjen e institucioneve arsimore nga partitë kundërshtare, por jo nga anëtarët e partive të veta”, shtoi më tej ai.

Buçinca tutje tha se ORCA ka dy kërkesa nga këta kandidatët për deputet dhe partitë politike në garë, duke shtuar se u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i mbajnë përgjegjëse partitë për këtë çështje. 

“Më e pakta që ato mund të bëjnë tash në prag të zgjedhjeve është: T’i bëjnë kandidatët e tyre të deklarohen se në rast se fitojnë ata do të tërhiqen nga puna në arsim. Partitë duhet të deklarohen në këto zgjedhje se a do ta ndryshojnë ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, ashtu që të mos u lejohet më asistentëve dhe profesorëve të jenë edhe deputetë e zyrtarë të tjerë shtetëror”, përfundoi ai. 

Mes tjerash, Buçinca theksoi se ORCA mbetet e përkushtuar që ta demaskojë hipokrizinë, mashtrimet dhe abuzimet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 tetor 2019 - Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe në mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe UN Women-it, mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë ndërkombëtare me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Familja Hoxha mban konferencë për media për të shprehur zhgënjimin me Qeverinë Rama për neglizhencën në zbardhjen e fatin e Remzi Hoxhes. (Hotel The Plaza Tirana, orën 10:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim kryetarin e Odës Ekonomike Indiano-Kosovare, Anil Mishra. (Zyra e kryetarit, ora 11:45)

- Aleanca Kosovare e Biznesve dhe Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet  organizojnë ceremoninë zyrtare të vlerësimit për Vasfije Krasniqi-Goodman si Misionare e Paqës. (Zyrat e Misionit Diplomatik në Tiranë, rruga Donika Kastrioti, P14 Ap.3E, ora 12:00)

- Zyra e BE-së rganizon një vizitë në shkollën 'Nim Frashëri' e cila së shpejti do të lidhet me rrjetin e ngrohjes qendrore të ofruar nga Termokosi. (Shkolla “Naim Frashëri”, ora 14:30)