27 Shtator 2022

ORCA kërkon monitorimin e kolegjeve dhe universiteteve

Prishtinë, 10 maj - ORCA ka pesë vite që është duke e monitoruar punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjenci të Akreditimit dhe raporti i sotëm është rezultat i monitorimit të mbledhjeve të KShC-së gjatë vitit 2021, por edhe të bashkëpunimit me Agjencinë e Akreditimit.

Gjatë vitit 2021, 2 universitete publike dhe 5 kolegje private janë riakredituar, ndërkohë që 4 kolegje private, dështuan në procesin e riakreditimit institucional. Janë gjithsej 8 kolegje që nuk kanë akreditim institucional pasi që nuk kanë arritur t’i plotësojnë standardet e nevojshme dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë studentë.

Në universitete publike, kanë akreditim gjithsej 123 programe Bachelor, 92 programe Master, 7 programe të doktoratës dhe 2 programe doktor shkence. Ndërsa në kolegje private janë gjithsej 116 programe Bachelor dhe 58 programe Master.

Monitorimi është proces formal që duhet kryer nga Agjencia për Akreditim, përmes të cilit verifikohet nëse institucionet e arsimit të lartë po e vazhdojnë plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve të jashtëm dhe po i mirëmbajnë kushtet me të cilat janë akredituar. Kjo komponentë e Agjencisë nuk ka qenë aktive as gjatë vitit 2021 dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga AKA-ja ndaj institucioneve të cilave iu ka dhënë akreditim, ka qenë evidente ndër vite. Përmes projektit QAINT të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), Agjencia e Kosovës për Akreditim kishte pranuar draftin fillestar të Metodologjisë së Monitorimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, i cili është aprovuar  në shkurt të këtij viti.

Në shkurt të vitit 2021, tre anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së, kishin dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre pas kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsion për zbatimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë, i cili obligon që të gjithë zyrtarët publik ta deklarojnë pasurinë e tyre. Edhe anëtarët e rinj ndërkombëtarë që ishin emëruar në qershor, prezantuan dorëheqjet e tyre për të njëjtat arsye.

Në nëntor të vitit 2021, kryetari i Komisionit për Ankesa në Agjencinë e Kosovës për Akreditim kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, andaj që nga ajo kohë ky komision është jashtë funksionit të tij.

Drejtori i Agjencisë pati denoncuar transferimet e jashtëligjshme të studentëve nëpër programe studimore të kolegjeve. Ata i transferonin studentët nga një program në tjetrin pavarësisht faktit që programet nuk ishin të përafërta dhe kishin dallime rrënjësore mes vete, e kjo po ndodhte si pasojë e kufizimit të numrit të kuotës së regjistrimit të studentëve në programe të ndryshme.

Agjencia për Akreditim e ka të domosdoshme rekrutimin e stafit të nevojshëm për proceset administrative të cilat kryhen nga kjo e fundit. Monitorimi i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, është njëra ndër komponentat e kësaj agjencie, mungesa e të cilës ka lënë hapësirë për mashtrimin e studentëve nga shumë prej kolegjeve që operojnë në vendin tonë. Prandaj është më se e rëndësishme që agjencia të bëj përgatitjet e nevojshme dhe të fillojë sa më shpejtë me monitorimin e këtyre institucioneve, në mënyrë që të bëj parandalimin e lajthitjes së studentëve dhe që të fillojë me marrjen e masave ndaj atyre institucioneve që i tejkalojnë apo thyejnë kushtet përmes të cilave kanë marrë akreditimin institucional dhe për programe. 

Është e rëndësisë së veçantë hyrja në fuqi e Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, në mënyrë që procesi i akreditimit të pavarësohet nga ndikimet e tërthorta të ministrave të ndryshëm të arsimit përmes udhëzimeve administrative, siç ka qenë praktikë e qeverisjeve të mëparshme.

Agjencia duhet të bashkëpunojë me institucionet relevante, për të bërë hulumtimin e tregut të punës, në mënyrë që Këshilli Shtetëror i Cilësisë të bazohet në atë studim kur trajton apo shqyrton aplikimet për akreditim të programeve studimore nga institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë.

Nevojitet angazhim sistematik dhe zinxhiror për rianëtarësimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Rrjetin Evropian të Asociacionit për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Vegëza e raportit: http://orca-ks.org/ëp-content/uploads/2022/05/Raporti-monitorimit-KSHC-3.pdf 


 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022  - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)