02 Qershor 2020

ORCA: Emërimi i mashtruesit si ministër i arsimit, sulm mbi cilësinë

Prishtinë, 29 prill - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka njoftuar se ka pranuar me shqetësim propozimin e Ramë Likajt të AAK-së për emërim si Ministër i Arsimit. ORCA konsideron se ky propozim është i dëmshëm për arsimin në Kosovë në përgjithësi dhe për arsimin e lartë në veçanti.

Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Ramë Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysmë, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit.

Së bashku me 7 profesorë të tjerë Likaj është avancuar përmes punimeve në revista fallce të cilat u kanë mundësuar atyre që përmes mashtrimeve akademike të fryjnë numrin e punimeve.

ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve përfshirë dhe Ramë Likajn, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme.

Për më tepër, një vit më vonë në vitin 2019 platforma indeksuese SCOPUS i ka përjashtuar revistat që i kanë publikuar këto punime pasi ORCA i ka denoncuar ato revista edhe në SCOPUS. Pra nuk ka dyshim se punimet e kandidatit për ministër ishin mashtruese dhe se avancimi i tij është jomeritor.

ORCA e sheh këtë emërim potencial si sulm direkt mbi cilësinë në arsim në Kosovë. ORCA do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar dhe luftuar një sulm të tillë duke përdorur të gjitha mjetet demokratike në dispozicion.

Kronologjia e ngjarjeve

Më 8 tetor 2018, ORCA ka dorëzuar para Këshillit të Etikës së UP-së, denoncimin për 8 profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët janë avancuar me punime në revista mashtruese. 8 profesorët kishin publikuar nga 7 deri në 19 punime secili brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë. Kjo gjë është e pamundur, nëse për asgjë tjetër atëherë për faktin e thjeshtë se një profesor i inxhinierisë mekanike në Norvegji, arrin të publikojë 0.96 punime në vit, pra as një punim të plotë.

Këta 8 veta u avancuan përmes një grumbulli punimesh. Shumica e punimeve përmbajnë plagjiaturë, gabime në drejtshkrim dhe gramatikë në gjuhën angleze, gjë që e bën të pamundur që ato të botohen në revista cilësore. Megjithatë, revistat ku ishin botuar këto punime ishin të indeksuara në platformën SCOPUS.

ORCA paralelisht me këtë denoncim, më 6 korrik 2018, i është drejtuar SCOPUS për të ngritur dyshimet për revistat.

Ndërkohë, ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar këtë dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës. Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme.

Më datën 23 prill 2019, SCOPUS ka njoftuar ORCA-n se revistat nuk janë më pjesë e indeksimit për vitin 2019 e tutje: “publikuesi [i revistave] është informuar se mbulimi i SCOPUS për të dy titujt nuk vazhdon për vitin 2019 e tutje.”

Ky njoftim nga SCOPUS më 8 maj 2019 iu dorëzua Këshillit të Etikës.

Vendimi i SCOPUS për t'i hequr nga lista për vitin 2019 këto revista shkencore, është mbështetur në vlerësimin për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2017/2018, kur edhe kanë publikuar e kur janë avancuar 8 profesorët.

Pra, mund të thuhet përtej çdo dyshimi të bazuar se: Ahmet Shala, Ramë Likaj, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi, Naser Lajqi, Nexhat Qehaja, Rexhep Selimaj, Xhevat Berisha, janë avancuar me punime të publikuara në revista mashtruese.

Megjithatë Këshilli i Etikës nuk ka marrë ende vendim përfundimtar për këtë rast duke e lënë ende pezull atë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Qershor 2020 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e 61 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 10:00 - mbledhja do të mbahet pa prezencën e mediave)

- Lëvizja Vetëvendosje nisë mbledhjen e nënshkrimeve për peticion “Duam Zgjedhje” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 10:00)

- Mbahet seanca e tretë e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Holli i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ora 10:00) 

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Dardania. (Lagja Dardania, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, C203, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pas mbledhjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 16:30)