06 Tetor 2022

OEGJK, marrëveshje me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Prishtinë, 10 shtator - Studentët dhe stafi i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga tani e tutje, do të mund të përfitojnë nga mundësitë të cilat i ofron Memorandumi i Mirëkuptimit, i nënshkruar me Odën Ekonomike Gjermano – Kosovare.

Me anë të këtij memorandumi, të nënshkruar në Rektoratin e UP-së, synohet shkëmbimi i përvojave dhe i studentëve me qëllim të punës praktike dhe punësimit te kompanitë anëtare të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, u shpreh shumë i lumtur për nënshkrimin e këtij Memorandumi të Mirëkuptimit.

Kjo marrëveshje, sipas tij, do të ndihmojë në përafrimin e studimeve me tregun e punës dhe UP-ja është shumë e interesuar që të ofrojë kuadro të kualifikuara për bizneset dhe industrinë.

Edhe drejtorja menaxhuese e OEGJK-së, znj. Nora Hasani e konsideroi memorandumin si një mundësi të mirë për studentët e UP-së, por edhe për bizneset që janë pjesë e odës, sepse, sipas saj, shqetësimi i parë i tregut të punës është mungesa e kuadrove të përgatitura.

Nisjen e këtij bashkëpunimi e mirëpriti edhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, prof. asoc. dr. Isak Shabani.

Memorandumi në fjalë parasheh që palët të bashkëpunojnë, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në ofrimin e këshillave profesionale për bizneset në fushën e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike, si dhe mundësimit të vijimit të praktikave profesionale për studentët e këtij fakulteti pranë bizneseve anëtare të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)