25 Prill 2024

Nis trajnimi i drejtoreve te shkollave

Prishtinë, 19 shtator - Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka marrë pjesë sot në konferencën për fillimin e Programit për zhvillimin profesional të drejtorëve të shkollave. Ky program realizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në bashkëpunim me donatorët BE-në dhe USAID-in.

Në konferencë, ku u shpalosën planet për zhvillimin e kapaciteteve për menaxhim më të mirë të shkollave, morën pjesë rreth 500 pjesëmarrës - drejtorë arsimi në komuna, drejtorë të shkollave, zyrtarë tjerë arsimor.

Me këtë rast, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, Nehat Musfata, tha se përmes këtij trajnimi MAShT-i po mundohet t’u ofrojë sa më shumë njohuri drejtorëve të shkollave, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të përballen me reformat e reja të cilat po ndodhin në arsim.

“Përkushtimi i MAShT-it për ngritje të cilësisë dhe gjithëpërfshirje në arsim do të përkrahet fuqishëm nga ky projekt i BE-së dhe USAID-it”, theksoi ai.

“Ky program  do të mbështesë udhëheqësit e shkollave për të zbatuar në praktikë standardet profesionale të drejtorëve të shkollave, standarde të cilat MASHT i ka prezantuar edhe në formën e një udhëzimi administrativ, me të cilin ato tash janë edhe obligim ligjor për të gjithë drejtorët e shkollave”, tha ai.

 Mustafa shtoi se do të kenë mundësinë që të certifikohen për herë të parë edhe trajnerët, të cilët gjithashtu kanë ndjekur një trajnim të gjatë për t’u certifikuar si trajnerë të këtij programi.

 Zëvendësministri Mustafa shprehu bindjen që menaxhimi i drejtorëve nëpër shkolla dhe të atyre që më vonë do t’i nënshtrohen këtij programi, pas përfundimit të trajnimit do të jetë shumë më mirë se që ka qenë deri më tani.

Sophie Beaumont, nga Zyra e BE-së në Kosovë, ka shprehur angazhimin e BE-së për të investuar në arsim edhe në të ardhmen.

 “Ju keni përgjegjësi të madhe edhe në zhvillimin profesional të arsimtarëve, prandaj Bashkimi Evropian është i përkushtuar për t’ju mbështetur juve në këtë program për vitet në vijim”, iu tha ajo drejtorëve të shkollave.

Ndërkaq, Inez Andreës nga USAID-i, theksoi se programe të tilla janë një hap shumë i mirë për përparimin e arsimit në Kosovë.

Ajo është shprehur e kënaqur që kanë mundësi t’i tregojnë botës se si mund të duket një shkollë në shekullin 21, të cilën tha ajo se po angazhohen që këtë shkollë ta bëjnë në Kosovë.

 “Ky është një hap shumë i rëndësishëm për trajnimin e arsimit që keni bërë viteve të kaluara për të krijuar shkollën e shekullit 21. Unë mendoj që ne duhet të kemi nderin që këtu në Kosovë kemi mundësi që t’i tregojmë botës se si do të dukej një shkollë e mirë e këtij shekulli”, tha ajo.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)