24 Shtator 2020

Nga sot fillon faza e dytë e reformës në arsim në Kamenicë

Prishtinë, 13 janar - Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se nga sot do të fillojë fazën e dytë të reformës në arsim në dy shkolla.

Kështu ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati i cili ka treguar se nga sot do të fillojë faza e dytë e reformës në arsim në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë dhe në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin.

Kryetari Kastrati tha se nxënësit e të dy shkollave të ciklit të ulët (klasa zero deri në klasën e pestë) mësimin do të vijojnë në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin, ndërsa ata të ciklit të lartë poashtu të dy shkollave (klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë) në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë. Përderisa sipas tij shkolla në Petrovc “Xhelal Sopi” do të bashkohet me shkollën në Dobërçan “Nazim Hikmet”, pas marrëveshjes me Komunën e Gjilanit.

“Po vazhdojmë me fazën e dytë të reformës, ku do të përfshihen këto shkolla, “Rexhep Mala” në Topanicë “Abdullah Krashnica” në Koretin. Poashtu kemi bërë marrëveshje me Komunën e Gjilanit që shkolla në Petrovc “Xhelal Sopi”  të bashkohet me shkollën në Dobërçan “Nazim Hikmet”.

"Ashtu siç kemi bërë edhe në fazën e parë ku është vendosur që për secilën klasë të jenë nga 20 nxënës, edhe në këtë fazë do të jetë kështu. Kjo fazë do të përfshijë këto shkolla pasi që është numër i vogël i nxënësve për klasë, ku shkolla në Topanicë ka 143 nxënës, ajo në Koretin 308 nxënës, ndërsa në Petrovc 104 nxënës”, ka thënë Kryetari Kastrati.

Ai i bëri thirrje prindërve që t’i bashkohen kësaj reforme pasi që sipas tij kjo është në të mirë të nxënësve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Shtator 2020

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Komunën e Ferizajt. (Objekti i Komunës Ferizaj, ora 9:30)

- Në kuadër të Javës së sporti, Federata e Pingpongut në bashkëpunim me Departamentin e sportit të MKRS do të organizoj një aktivitet promovues për pingpongun në Pejë. (Sheshi Dukagjini në Pejë, ora 10:00)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi viziton Mural Fest. (Muralet e qytetit në Ferizaj, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit fillon projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë për Kujdesin Geriatrik me ç'rast kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj do të prononcohen për media. (Nisja do të bëhet nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të shqyrtohet plani i punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:30)

 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në ndarjen e certifikatave për të rinj të trajnuar për ndërmarrësi. (Qendra e Inovacionit në Ferizaj, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti do të mbajë konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora  11:00)

- Zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mbajnë konferencën për media. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

-  Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)
 
 - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi merr pjesë në aktivitet me misionin e OSBE-së. (Muzeu i Kosovës, ora 14:00)