28 Tetor 2020

Nënshkruhet marrëveshje që sjell në Kosovë një përsosmëri italiane në arsim

Prishtinë, 1 tetor - Sot, në Ministrinë e Arsimit në prani të ministrit Ramë Likaj dhe Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando, u organizua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në sektorin e edukimit parashkollor me OJQ-në italiane “Vullnetarët në Botë RTM”.

Marrëveshja është pjesë e Projektit PEDAKOS - Preschool Education Development Alliance for Kosovo, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor. Projekti do të zgjasë tri vjet dhe ka një vlerë totale prej 970,000 Euro me një kontribut nga Kooperacioni Italian prej 905,333 Euro.

Projekti është rezultat i bashkëpunimit mes Kooperacionit Italian, PEDAKOS, nga pala italiane, dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Institutit Pedagogjik i Kosovës, Universitetit të Prishtinës, nga pala kosovare, me kontributin e tre organizatave jofitimprurëse, OJQ-të e Childproof, Botanka dhe Shpresa dhe Jetës.

Qëllimi është të ndihmohen institucionet kosovare në zbatimin e Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2017-21 për arsimin parashkollor (0-5 vjet), duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve arsimore të ofruara nga shkollat për parashkollorët.

Nënshkrimi i Marrëveshjes do të mundësojë (1) forcimin e aftësimit profesional të stafit parashkollor; (2) ndarja e praktikave të mira dhe ndërhyrjet e rikualifikimit në 15 shkolla pilot përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë të ekspertëve italianë (pedagogë, arkitektë, mësues); dhe (3) zhvillimin e partneriteteve më efikase publik-private, përfshirë ndihmën e Ministrisë së Arsimit për të rimëkëmbur Këshillin Kombëtar të Institucioneve Parashkollore.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj foli për nismën duke konfirmuar gatishmërinë e tij edhe për bashkëpunime të radhës.

“Ne si MASH, jemi mbështetës dhe shumë optimist që ky projekt do të udhëhiqet në mënyrën më të mirë. Përfitues fillestar do të jenë gjithsej 15 institucione parashkollore, publike, private dhe ato me bazë në komunitet. Mbi bazën e raportimit të pilotimit të këtij projekti do të vazhdojmë shtrirjen edhe në institucione tjera parashkollore”, tha ai

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando theksoi rëndësinë e projektit duke konsideruar se forcimi i kapacitetit për t'i siguruar të rinjve arsimin më të mirë të mundshëm është thelbësor për të krijuar mundësi gjithnjë e më të mira për brezat e ardhshëm. “Italia ka përvojë të gjerë në sektorin pedagogjik dhe ne jemi të nderuar që jemi në gjendje të ndajmë praktikat tona të mira dhe njohuritë tona në këtë sektor me institucionet kosovare ”, tha ai.

Ambasadori gjithashtu konfirmoi angazhimin e Italisë për të mbështetur rrugët arsimore nga fëmijëria e deri në specializimet pasuniversitare, sidomos në këtë fazë të vështirë të pandemisë. "Jam shumë i lumtur të shoh angazhimin e Agjencisë sonë të Bashkëpunimit për Zhvillim dhe shoqërisë sonë civile përkrah institucioneve dhe shoqërisë civile", përfundoi Ambasadori italian.

Federica Arezzi, koordinatore e PEDAKOS për RTM theksoi se "Falë PEDAKOS, Kooperacioni Italian u ofron institucioneve dhe shkollave në Kosovë një mundësi unike të shkëmbimit me një përsosmëri italiane të njohur globalisht në sektorin e arsimit: Qasja  Reggio Emilia , një arsim i njohur dhe efikas i zhvilluar në qytetin e Reggio Emilia, i cili sot frymëzon mbi 35 vende në botë".

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2020 - Qendra e parë shoqërore në Prishtinë “Termokiss” nisë programin pesë ditor “Krejt Ka Pak V - Me Zemër Ngat” me aktivitete të ndryshme. (Hapësira e Termokissit, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësuesit e Divizionit të Skemave për Kategoritë e Luftës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të  Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të  “Muajit të mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara”, që është muaji tetor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës Osman Hajdari, do të vizitojnë personat me aftësi të kufizuara që janë të angazhuar në Administratën Komunale të Komunës së Prizrenit. (Objekti i Administratës Komunale në Qendrën për Shërbime të Integruara-One Stop Shop, ora 10:00)

- Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq raporton para Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim lidhur me raportin e punës së ministrisë, për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj mbajnë tryezë konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane. (Objekti i Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë një konferencë për media. (Ministria e Drejtësisë, ish-objekti i Rilindjes, kati IX, salla 914, ora 11:00)

- Ministri i Tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi raporton para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike lidhur me problemet që është duke u ballafaquar ministria në përgjithësi, në veçanti për prodhuesit dhe transportuesit vendor për CEFTA si dhe për subvencionet e ndara për biznese gjatë pandemisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. (Objekti i KRPP-së, ora 14:00)

- Ministrja e Financave Hykmete Bajrami raporton para Komisionit për Buxhet dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në Sistemin e Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci përmbyllë Projektin “Akademia për Lidership”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot mban tryezë me përfaqësues të institucioneve të vendit, organizatave që merren me përkrahjen e grave me kancer të gjirit, si dhe gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit. (Holli i Kuvendit, ora 15:00)

- Ambasada e Gjermanisë bashkë me Asociacioni për Evropën Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani organzojnë konferencën digjitale “Të rinjtë, migrimi dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”. (Onlne, ora 16:00)