22 Shkurt 2019

Në Tiranë mbahet takimi ndërministror Kosovë-Shqipëri

Tiranë, 14 shkurt - Në Tiranë mbahet takimi ndërministror Kosovë-Shqipëri për mësimin shqip në Diasporë. Kjo paraqet takimin tjetër të punës mes dy ministrive të Diasporës dhe dy ministrive të Arsimit të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që është vazhdimësi e procesit të implementimit të marrëveshjes për mësimin shqip në Diasporë.

Në tryezë ishin prezentë ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, njëherësh zv. kryeministër i Kosovës, Dardan Gashi; ministrja e Arsimit, Sportit dhe e Rinisë e Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla; ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe zv. ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, z. Heset Sahiti.

Gjatë takimit, tre ministrat u informuan për procesin e deritashëm, fazat e implementimit të marrëveshjes, si dhe për hapat e mëtutjeshëm.

Që të tre - Nikolla, Gashi dhe Majko - u dakorduan të themelohet Këshilli i përbashkët për implementimin e marrëveshjes. Ky i fundit ka marrë vendimin për ngritjen e qendrës arsimore në Diasporë, me seli në Prishtinë, e cila  do të jetë në funksion të implementimit të detajeve teknike të marrëveshjes.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt unifikimit të mësimit shqip në Diasporë. Tani kemi zotime të përbashkëta për hapa konkretë në drejtim të implementimit të plotë të marrëveshjes ndërshtetërore, të nënshkruar mes dy kryeministrave”, tha zv. kryeministri Gashi.

Në anën tjetër, ministrja Nikolla i përgëzoi të dyja qeveritë për angazhimin që kanë marrë për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe të identitetit shqiptar. “Unifikimi i sistemit arsimor është një hap shumë i rëndësishëm”, theksoi ministrja Nikolla.

Ndërsa, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, tha: “Sot, në prag në 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, kemi çfarë t’i themi publikut. Brenda një kohe të shkurtër, pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, ndërmorëm disa vendime të rëndësishme, si ai lidhur me krijimin e qendrës për arsimin në Diasporë”.

Ky takim do të vazhdojë në nivelin teknik, që do të rezultojë me nxjerrjen e konkluzioneve të tjera. 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 shkurt 2019 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të​ takohet me Kryetarin e Federatës së Shahut, Nysret Avdiu (Objekti i Kryeministrisë, kati VIII, zyra 806, ora 8:30)

-  Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Shefi i Ambasadës Japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara dhe Drejtori gjeneral i kompanisë Jetro Vjenë, Satoshi ABE vizitojnë kompaninë Gjirafa. (Kompania Gjirafa, Dragodan, ora 9:30)

- Let’s Do It do të mbajë konferencën “Efiçienca e energjisë dhe Ruajtja e ujit”, në bashkëpunim me Oden e Gjelbër Ekonomike te Amerikës. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Koordinatori  Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti do të mbajë takim me drejtorët e shkollave të komunitetit boshnjak në Komunën e Prizrenit ku do të prezantohet Programi Nacional për Rininë. (Drejtoria Komunale e Arsimit, Prizren, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të ZKM-së, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mban konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës se Rahovecit, Smajl Latifi do të vizitojë Palestrën e Sportit, ku do të shohë punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar. (Komuna e Rahovecit, ora 11:00)

- Mbahet debati publik me temën 'Transparenca e punës së komunës së Graçanicës'. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të shqyrtohet projektligjit për pijet e forta alkoolike, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, IPKO Foundation dhe RIT Kosova organizojn ngjarjen për projektin KosLift i cili ka për qëllim të mbështesë deri në 1000 student të Universitetit të Prishtinës dhe RIT Kosovë si dhe 60 biznese kosovare në sektorët e energjisë, TIK-ut dhe prodhimit në ngritjen e aftësive të nevojshme dhe kapaciteteve për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon. (Residenca Norvegjeze në Fshatin Ndërkombëtar, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Vetëvendosjes, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti i shoqëruar nga Drejtori Komunal i Arsimit, Agim Blakçori do të vizitojë shkollat “Ibrahim Rugova”, “Naim Frashëri”, dhe “Aleksandër Xhuvani”, në Podujevë për të përcjellë mbarëvajtjen e garës. (Podujevë, ora 13:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj viziton disa sera në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:40)

 - Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune kompanisë “Liri” në Prizren. (Prizren, ora 17:00)

- Fondacioni Lumbardhi dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës kanë kënaqësinë organizojnë ligjeratën publike “Bukuria e asaj që mbetet” të arkitektes Aslıhan Demirtaş. (Kino Armata, ora  17:00)