19 Mars 2024

Ndahet çmimi FIDES

Prishtinë, 17 tetor - Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) edhe këtë vit do ta ndajë “Çmimin FIDES” për kompanitë, ndërmarrjet dhe individët të cilët gjatë vitit 2012 kanë përkrahur aksionet joprofitabile, të iniciuara nga organizatat e ndryshme, grupe të organizuara shoqërore etj., e të cilat kanë rezultuar në të mirën e komunitetit.

Udhëheqësja e projektit të FIDES në FIQ, Vjollca Islami-Hajrullahu, ka deklaruar për gazetën "Epoka e re" se edhe këtë vit FIQ do ta japë “Çmimin FIDES”, duke ua ofruar mundësinë për aplikim bizneseve dhe individëve, të cilët kanë kontribuar për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës.

“Nga 1 shtatori 2012 FIQ e ka shpallur të hapur konkursin për ‘Çmimin FIDES’ për kompanitë, ndërmarrjet dhe individët të cilët gjatë vitit 2012 kanë përkrahur aksionet joprofitabile, të iniciuara nga organizatat e ndryshme, grupe të organizuara shoqërore etj., e të cilat kanë rezultuar në të mirën e komunitetit”, ka thënë ajo. Sipas saj,

“Çmimi FIDES” i dhurohet kompanisë dhe individit, të cilët në mënyrë sistematike dhe të kujdesshme kanë përkrahur aktivitetet dhe projektet e interesit të përbashkët.

“Kompania fituese do të shërbejë si model i suksesshëm dhe inspirues për të tjerët, duke lënë publikisht të kuptohet se si duhet të investohet për të mirën e komunitet.

‘Çmimi FIDES’ do t’i dhurohet edhe personit i cili në mënyrë të vazhdueshme ka përkrahur aksionet joprofitabile, organizatat apo grupet e organizuara shoqërore, të cilët në mënyrë efektive dhe të frytshme janë angazhuar në zgjidhjen e problemeve në shoqërinë tonë”, ka bërë me dije Islami-Hajrullahu.

Ajo është shprehur e bindur se ky çmim i parë i këtij lloji, që në Kosovë ndahet për herë të katërt, do të shërbejë si pikë referimi për investimet e ardhshme për një jetë më të mirë në Kosovë.

“Synim i këtij çmimi prestigjioz është bërja publike e emrave të kompanive, ndërmarrjeve dhe individëve, të cilët kanë përkrahur financiarisht projekte që kanë kontribuar për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se dhënia e çmimit vetvetiu u ofron mundësi shoqatave, organizatave joqeveritare dhe në përgjithësi përfituesve të donacionit, që publikisht t’i shprehin mirënjohjet e tyre për dhuruesin e donacionit.

“Çmimi do të bëjë të mundur që fituesit të gëzojnë edhe një përkrahje të gjerë publike për projektet që ata kanë mbështetur me aq bujari.

‘Çmimi FIDES’ dhe ceremonia e ndarjes së këtij çmimi është një mundësi ideale për t’i promovuar partneritetin dhe bashkëpunimin e sinqertë në mes të sektorit të biznesit, iniciativave qytetare, organizatave joqeveritare dhe individëve”, ka treguar Islami-Hajrullahu. Sipas saj, kompanitë dhe individët që marrin pjesë në konkurs mund të konkurrojnë vetë ose të nominohen nga të tjerët.

Islami-Hajrullahu ka theksuar se të drejtë konkurrimi kanë të gjitha kompanitë vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Republikën e Kosovës dhe individët që jetojnë në Kosovë apo diasporë e që i kanë përkrahur aksionet ose organizimet shoqërore dhe joprofitabile gjatë vitit 2012.

“Në këtë rast partnerët dhe donatorët e FIQ automatikisht janë të përjashtuar nga pjesëmarrja në këtë konkurs, nominimet për çmim mund të bëhen nga të gjithë qytetarët e organizuar, individët, OJQ-të, mediet, etj”, ka theksuar ajo.

BOX:

Kategoritë e “Çmimit FIDES” për vitin 2012

“Çmimi FIDES” për kontribut në nivel kombëtar

“Çmimi FIDES” për kontribut në komunitetin lokal ku vepron kompania

“Çmimi FIDES” për filantropi "Anton Çetta" - çmimi për kontributin individual

“Çmimi FIDES” për filantropi “Diaspora” për individët dhe bizneset e diasporës

“Çmimi FIDES” për mjedis
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)