19 Prill 2024

Monnet sugjeron forcimin e kapaciteteve vendore në procesin integrues

Prishtinë, 2 nëntor - Zyra e Konferencës Jean Monnet (Jean Monnet Chair Office) në Kosovë organizoi në Prishtinë konferencën “Sfidat e procesit të integrimit në Ballkanin Perëndimor”, në të cilën morën pjesë profesorë nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë, organizatave joqeveriotare, përfaqësues të Komisionit Evropian, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Profesori Jean Monnet Chair në Kosovë, Gazmend Qorraj tha me këtë rast se projektet e Bashkimit Evropian duke përfshirë të gjithë mekanizmat e saj, kanë një rëndësi jetike për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e demokracisë. Qorraj sugjeroi se për rritjen e efekteve të këtyre projekteve nevojiten të forcohen kapacitetet e vendeve kandidate dhe aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç është edhe Kosova.

Duke folur për projektet e BE-së në fushën e arsimit, prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Lindita Tahiri tha në këtë konferencë se UP synon ndërkombëtarizimin dhe përgatitjen e kuadrove për tregun e punës nëpërmes aplikimit të metodave të reja të cilat favorizojnë aplikimin më të madh të gjuhëve të huaja në universitet, siç është rasti me gjuhën angleze, gjuhën frenge etj. Prorektorja Tahiri tha se përkundër vështirësive të diplomuarit në UP janë kuadrot më të kërkuara në tregun e punës në Kosovë.

Kryesuesja e zyrës së Tempusit në Kosovë, Kimete Canaj tha në konferencë se ky program ka zbatuar 44 projekte në Universitetin e Prishtinës. Ajo i ka inkurajuar studentët kosovarë që të rrisin numrin e aplikimeve për projektet e bursave që i jep Bashkimi Evropian, siç është rasti me projektin Erasmus Mundus.

Christian Geosits nga Zyra e Agjencisë Austriake për Zhvillim ka kërkuar që të shtohen fondet për sektorin e arsimit në Kosovë në mënyrë që të rriten kapacitetet vendore për avancimin në procesin integrues.

Në konferencën Jean Monnet u tha se programi i asistencës financiare i BE-së e mbështet agjendën ambicioze të Kosovës për reforma. Nëpërmes këtyre projekteve BE synon forcimin e kapaciteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimin e tyre në procesin integrues.

Konferenca është organizuar në partneritet me Universitetin e Prishtinës dhe Zyrën e Komisionit Evropian në Prishtinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)