26 Nëntor 2020

Ministria e Arsimit ndërhyn në autonominë e Universitetit te Prishtinës

Prishtinë, 20 nëntor - Organizatat nënshkruese të kësaj letre e konsiderojnë të papranueshëm vendimin e njëanshëm të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës (MASh) për rritjen e numrit të studentëve për 50 veta në Fakultetin e Mjekësisë.

Për më tepër, vendimi është marrë pa asnjë konsultim me Universitetin e Prishtinës (UP), Këshillin Shtetëror të Cilësisë (KShC) dhe Fakultetin e Mjekësisë.

Kjo ndërhyrje e Ministrit të MASh në autonominë e UP-së është e jashtëligjshme dhe konsiderojmë se ka për qëllim kapjen e institucioneve publike arsimore nga politika.

Autonomia e Universitetit përcaktohet në Nenin 10 të Statutit, i cili ëshë miratuar nga Kuvendi  Republikës: “Universiteti gëzon autonominë dhe lirinë e mësimdhënies akademike, të kërkimeve shkencore si dhe të krijimtarisë artistike brenda veprimtarisë së tij. Mjediset e Universitetit gëzojnë të drejtën e paprekshmërisë, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta.”

Për çështjet akademike të Universitetit mund të vendosë vetëm Senati i UP-së, sipas ligjeve dhe rregullave të përcaktuara nga Kuvendi i Republikës. Kurse dëshirat e ministrave, të cilët përmes veprimeve populiste mundohen të fitojnë simpati popullore, duhet të mbesin vetëm dëshira.

Po ashtu, kjo ndërhyrje prek edhe pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) e cila përcakton kuotat e regjistrimit të studentëve në programe sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.

Kjo ndërhyrje do të jetë shkak i mjaftueshëm që në procesin e rianëtarësimit të AKA-së në Asociacionin Evropian ENQA, nga ku është përjashtuar pikërisht për shkak të cënimit të pavarësisë institucionale, të penalizohet përsëri në mungesë të integritetit institucional.

Me këtë rast iu bëjmë thirrje organeve të hetuesisë që të hetojnë nëse kjo është sabotazhë e qëllimshme ndaj AKA-së, me qëllim mospranimin të saj në ENQA, në mënyrë që kolegjet private të afërta me zyrtarë të partisë që drejtojnë me MASh të përfitojnë.  

''Ne i bëjmë thirrje Komisionit Parlamentar për Arsim, Rektorit të UP-së, z. Naser Sahiti, Këshillit Drejtues dhe  Senatit të UP-së; Drejtorit të AKA-së, Naim Gashi dhe anëtarëve të KShC-së, që të mos e pranojnë këtë vendim dhe të mbrojnë integritetin e institucioneve dhe proceseve që i drejtojnë.''

 Të gjitha këto institucione duhet të ushtrojnë padi ndaj MASh pasi vendimi përbën shkelje të një sërë ligjesh dhe dokumentesh të aprovuara nga Kuvendi i Republikës.

Si organizata të shoqërisë civile u bëjmë thirrje ambasadave të vendeve që ndihmojnë arsimin në Kosovë, që të bëjnë gjithçka që është e mundur që të mos lejojnë një ndërhyrje të tillë, e cila do të jetë me pasoja katastrofale për arsimin e lartë në Kosovë.
'
Përkrahja publike e pavarësisë institucionale të AKA-së dhe UP-së nga faktori ndërkombëtar do të ndihmonte në parandalimin e ndërhyrjeve të tilla në të ardhmen.
 
Organizatat nënshkruese:

Admovere
BIRN KOSOVA
CPC - Qendra për Kurajo Politike
FIQ – Forumi për iniciativë qytetare
GLPS – Group for Legal and Political Studies
KFOS – Kosovo Foundation for Open Society
KYC - Keshilli Rinor Kosovar
OJQ ETEA
OJQ INTEGRA
ORCA – Organizata për rritjen e cilësisë në arsim
S'bunker
TOKA - Organizata Kosovare per Talent dhe Arsim
YIHR – Youth Initiative for Human Rights

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Nëntor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave, Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi marrin pjesë në përurimin e kompletit te veprave të prof. Anton Çettës. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Kryetarin i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)