25 Prill 2024

Ministri të Buja prezantoi të arriturat e MAShT për vitin 2012

Prishtinë, 26 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në konferencën përmbyllëse të aktiviteteve të MAShT-it për vitin 2012, ka vlerësuar lartë të arriturat e Ministrisë në të gjitha sektorët e arsimit në vend.

Ministri Buja fillimisht ka falënderuar mediat për angazhimin e tyre dhe prezantimin korrekt të aktiviteteve të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve vartëse të saj.

Sa i përket arsmit parauniversitar, ministri Buja ka theksuar se gjatë këtij viti ka vazhduar puna në realizimin e aktiviteteve të planifikuara sipas Planit Strategjik të Arsimit 2011-2016.

“Një pjesë e mirë e aktiviteteve kanë pasur qëllim arritjen e objektivave të arsimit si: ngritja e përfshirjes dhe cilësisë në arsimin parauniversitar”, tha ai dhe në këtë drejtim theksoi botimin e  Abetares së përbashkët Shqipëri - Kosovë, fushatën e vetëdijesimit për rëndësinë dhe pëfshirjen më të madhe në edukimin parashkollor, hartimin e shtatë moduleve të bazuara në fushat zhvillimore të dokumentit të Standardeve të Zhvillimit dhe të Mësuarit në Fëmijërinë e Hershme 0-6 vjet, si dhe ka filluar trajnimi pilot për zbatueshmërinë e këtij dokumenti.

Ministri Buja theksoi edhe faktin se në bazë të kërkesave të DKA-ve janë themeluar (pavarësuar) rreth 15 shkolla (institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta), ndërsa tha se me përkrahjen e Bankës Botërore, 207 shkolla kanë përfituar grante shkollore në vlerë 1.600.000 euro.

Hartimi i Kurrikulave Bërthamë për nivelin I (klasën parafillore dhe shkollë fillore), nivelin II (arsimi i mesëm i ulët) dhe niveli III (arsimi i përgjithshëm dhe arsimit profesional), ishte poashtu një ndër pikat që përmendi ministri Buja, i cili theksoi po ashtu edhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore

Ministri i Arsimit përmendi edhe shumë të arritura në drejtim të arsimimit të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, sidomos të komunitetit RAE ku janë zhvilluar një varg aktivitetesh.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ndarë 100 licencat e para për mësimdhënës në Republikën e Kosovës, projekt ky i financuar nga Banka Botërore, si dhe janë përpunuar të dhënat edhe për licencimin e 18 000 mësimdhënësve tjerë”, tha ministri Buja, dhe më pas theksoi edhe trajnimet e shumta që janë duke u realizuar ose janë realizuar për trajnimin e drejtorëve të shkollave dhe udhëhqësit e institucioneve arsimore.

Ministri Buja foli edhe për të arriturat në arsimin profesional, ku theksoi një varg aktivitetesh dhe zhvillime të reja në sistemin arsimor në Kosovë drejt reformave në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, me qëllim të përmirësimit të cilësisë, përmirësimit të mundësive për punësim dhe perspektivë në karrierën e të rinjve në tregun e punës.

Sa i përket mësimit në diasporë, ministri Buja, ndër të tjera tha se në bashkëpunim me donatorët zviceranë është shtypur dhe shpërndarë libri 2 (6 fletore tematike për klasat 4,5,6) i  projektit të MAShT “Tekste mësimore për diasporën”. Ka përfunduar së hartuari edhe libri 3 (për klasat 7,8,9), që përbëhet nga 6 fletore tematike.

Në arsimin e lartë, ministri i Arsimit përmendi shumë të aiitura me theks të veçantë akreditimin e disa programeve në nivelin akademik PhD, themelimin e Universitetit të Pejës, zyrtarizimin e atij të Prizrenit dhe  nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Universitetin e Prishtinës për bartjen e projektit “Ndërtimi dhe projektimi i dy fakulteteve në Mitrovicë”.

Ministri përmendi edhe ndarjen e 90 bursave për studime jashtë vendit me partnerë të ndryshëm.

Në zhvillimin e shkencës, ministri Buja theksoi disa aktivitete të rëndësishme që janë zhvilluar këtë vit.

Ministri Buja po ashtu foli edhe për zgjerimin e infrastrukturës shkollore, ku përmendi ndërtimin e 8 objekteve shkollore, ndërsa tha se është duke vazhduar ndërtimi i 27 godinave shkollore.

Gjatë ditës së sotme , ministri Buja pati një takim edhe me Drejtorët Komunal të Arsimit , me ç’rast u bisedua për të arriturat dhe sfidat me të cilat u ballafaqua arsimi gjatë vitit që po e lëmë pas. Ministri  Buja ka falënderuar përfaqësuesit e DKA-ve për angazhim në  mbarëvajtje të procesit mësimor  për të shtuar se ky vit ishte i suksesshëm në arsim. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)