14 Dhjetor 2018

Ministri Bytyqi priti drejtues të James Madison University të Virgjinias

Prishtinë, 12 tetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, priti sot zëvendëspresidentin e James Madison University (JMU) të Virgjinias, Nick Langridge dhe John Rothenberger, anëtar i Bordit dhe udhëheqës i Qendrës për Ndërmarrësi në këtë universitet, me të cilët bisedoi rreth aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

Ministri Bytyqi falënderoi Universitetin për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë, por edhe me universitetet tona publike, ndërsa theksoi gatishmërinë dhe nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm me James Madison University, por edhe me universitete tjera amerikane.

Ministri foli edhe për përkrahjen që ka marrë nga institucionet amerikane gjatë vizitës zyrtare në ShBA për të zhvilluar reforma që do të ngrisin cilësinë në arsim. “Ne kemi nevojë të ngrisim një standard shumë më të lartë, sidomos në arsimin e lartë dhe jemi të vetëdijshëm se këtë nuk mund ta bëjmë vet”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se ndihma e institucioneve dhe universiteteve amerikane është tepër e rëndësishme për Kosovën në këtë drejtim.

Ministri Bytyqi foli edhe për proceset që janë duke u zhvilluar dhe për planet për ta ndryshuar gjendjen në arsimin e lartë, ku përmendi edhe nismën për ta hartuar një strategji për zhvillimin e arsimit të lartë.

Ndërsa, zëvendëspresidenti i JMU, Nick Langridge, u shpreh i lumtur për bashkëpunimin që ka pasur deri tani ky universitet me Kosovën. Ai përmendi disa aktivitete të realizuara nga Marrëveshja e Bashkëpunimit mes MAShT dhe këtij universiteti, të cilat i quajti fitore të vogla, por që tha se i kanë paraprirë partneritetit afatgjatë për të cilin është i interesuar ky universitet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 dhjetor 2018 - Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00) 

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet turneu kundër Korrupsion “Kosova Open 2018”. (Kino “Armata”,  ora 10:00)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës organizojnë tryezën "Roli i medias dhe shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit". (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Instituti D4D organizon hapjen zyrtare të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”. (Restorant Tartine Deli, Prishtinë, ora 10:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018” mbahet tryeza me temë "Lufta Kundër Korrupsionit në Ballkan. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Prishtinës. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Let's Do It organizon aksion pastrimi në Plemetin të Obiliqt në kuadër të Fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën". (Plemetin, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Qendra Tregtare "Plus Center “ organizon hapjen e ekspozimit dhe promovimit të prodhimeve vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?. (Objekti i Qendrës Tregtare "Plus Center“ ne Ferizaj, ora 12:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë ngjarjen përmbyllëse të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”, ku do të jenë prezent Ambasadorët e Shteteve Anëtare të QUINT, BE dhe Koalicioni i OJQ-ve. (Përpara Teatrit Kombëtar, ora 15:00)

- Fondi për të Drejten Humanitare organizon ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti Panda”. (Qendra e Dokumentimit në bibliotekën Hivzi Sulejmani, rruga “Sadik Bekteshi” nr 16, ora 16:30)

- Federata Kosovare e Atletikës organizon manifestimin sportiv të atletikës "Laureatët e vitit – Gala Athletics2018”. (Miracle Beni Dona, Zona Industriale, ora 18:30)

- Shfaqet drama jokonvencionale e Mark Ravenhill lidhur me dy vëllezër identikë të cilët ritakohen pasi që janë rritur ndarazi më Gjermaninë lindore dhe perëndimore. (Ambienti i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, rruga e Muzeu Etnologjik, ora 20:00)