28 Mars 2024

Ministri Buja vizitoi Shoqatën e të Verbërve të Kosovës

Prishtinë, 29 dhjetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtor është pritur sot në një vizitë nga kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu dhe anëtarët tjerë të kësaj shoqate.

Ministri Buja gjatë këtij takimi ka vlerësuar se ky komunitet në Kosovë duhet të ketë mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve, në mënyrë që këta persona të mund të integrohen në jetën institucionale.

Ministri i Arsimit,  fillimisht ka folur rreth realizimit buxhetor të ministrisë për vitin 2011, i cili ka qenë mbi nëntëdhjetë e tetë për qind, realizmin e infrastrukturës ligjore dhe asaj shkollore dhe objektivat tjera të realizuara gjatë këtij viti.

“Janë bërë punë serioze dhe besoj që vitin e ardhshëm do të realizojmë edhe projektet tjera të cilat kanë mbetur të papërfunduara, siç është puna me disa objekte shkollore për të cilat na duhen mjete buxhetore, por të cilat besoj se do të përfundohen vitin që vjen” është shprehur ministri.

Më tej, ministri Buja ka thënë se, mbështetja që i ka bërë Ministria e Arsimit Shoqatës së të Verbërve ka qenë vetëm një obligim elementar ndaj këtij komuniteti, ndërsa ka premtuar se këta persona do të kenë mbështetjen e përhershme të tij.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë personave të verbër në Kosovë, në veçanti për miratimin e Ligjit për të verbërit.

“I jam mirënjohës Qeverisë së Kosovës e cila ka miratuar Ligjin për të verbër më 23 nëntor të vitit 2011. Shoqata e të Verbërve të Kosovës nuk është e profilizuar si shoqatë politike, ne jemi shoqatë humanitare, por gjithmon jemi në partneritet me Qeverinë sepse aty është çelësi i zgjidhjes së problemeve. Partneriteti ynë me institucione është shumë i frytshëm sepse neve na duhet një strategji afatgjatë dhe konsideroj se Shoqatat e të Verbërve të Kosovës ka miq shumë nëpër institucione” ka thënë Kadriu.

Në fund kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu, në shenjë respekti për mbështetjen që i ka dhënë Ministria e Arsimit kësaj shoqate i ka ndarë një mirënjohje ministrit Buja, ndërsa Marigona Hamiti, nxënëse e Shkollës Fillore “Ismail Qemali” ia ka dhururuar ministrit një abetare në alfabetin Barin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)