26 Prill 2024

Ministri Buja pushon në vlugun e punëve

Prishtinë, 18 korrik - Në vlugun e punëve, ministri i Arsimit, Ramë Buja ikën me pushime.

Siç e dëshmon edhe vetë këshilltari i tij politik, Ragip Gjoshi, konkursi për pranim në vitin e ri akademik në universitet publike të vendit është shtyrë për shkak të mungesës së ministrit.

Gjoshi u ka thënë medieve se vendimi për regjistrimin e studentëve të rinj nuk ka ekzistuar “ngase ministri ka qenë në pushim dhe e kemi pritur, meqenëse ka qenë çështje serioze dhe kemi dashur të jetë prezent ministri”.

Lidhja Demokratik e Kosoves ka theksuar se MASHT-i dhe vetë kreu i saj, që nga fillimi i mandatit, nuk kanë arritur të kryejnë as përafërsisht detyrimet që kanë.

LDK thekson se kjo ministri dhe kreu i saj, në mungesë të programit të vërtetë të punës, në mungesë të planeve, nga mosnjohja e fushës që do të duhej të drejtonin dhe për shkak të mosangazhimit e kanë dëmtuar edhe më shumë sistemin e rënduar të arsimit në vend.