28 Mars 2024

Ministri Buja: Mësimi plotësues në diasporë të jetë unik

Shtutgard, 12 mars - Në ditën e dytë në takimet konsultative, që u mbajtën në Shtutgard të Gjermanisë, me temën "Gjendja aktuale e mësimit plotësues në diasporë dhe hapat për intitucionalizimin e tij", ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka shprehur gatishmërinë e MAShT-it për unisimin e teksteve në diasporë, si dhe për përkrahjen e plotë për institucionalizimin e mësimit plotësues në Gjermani.

Në ditën e dytë u mbajt edhe seanca e fundit e konsultës, ku komisioni punues iu ofroi të dy ministrave Buja e Makolli konkluzionet e punës dyditore.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, dhe ministri i Diasporës, z. Ibrahim Makolli, kanë dalë me qëndrimet e tyre që mësimi plotësues në diasporë të jetë unik në të gjitha shtetet, si dhe të përdoren tekste të njëjta mësimore.

Në konkluzionet e punës dyditore të komisionit punues, të cilat u janë ofruar të dy ministrave, Buja e Makolli, parashihet që të ofrohen trajnime për mësimdhënësit shqiptarë në diasporë, ku Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë obligohet të marrë përsipër licencimin e tyre, si dhe financimi i mësimdhënësve të bëhet sipas ligjeve ne fuqi.

MAShT-i gjithashtu obligohet që të krijojë plan-programet mësimore, si dhe të udhëheqë politikat arsimore për mësimin plotësues në diasporë, ndërsa Ministria e Diasporës të kryejë pjesën logjistike, ndërkaq është bërë e ditur se kah mesi i këtij viti do të mbahet konferenca kombëtare për mësimin plotësues në diasporë.

Pas përfundimit të punimeve dyditore, ministri Buja gjithashtu ka vizituar konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart, ku është pritur nga konsulli z. Faket Kajtazi si dhe zv.konzulli Imer Lladrovci dhe është njoftuar për së afërmi me punën dhe stafin e konsullatës.

Ministri Buja po ashtu është pritur edhe nga  një numër i madh i mësimdhënësve shqiptarë të mësimit plotësues në landin e Baden Ëutternbergut, ku është biseduar  për punën që bëhet atje, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ministri Buja ka falënderuar të gjithë mërgatën për kontributin e tyre që kanë dhënë për lirinë e Kosovës, por edhe në punën e tyre vullnetare për mbajtjen gjallë të mësimit shqip në Gjermani. Për më tepër, ministri ka apeluar të gjithë prindërit shqiptarë që të inkurajojnë fëmijët e tyre për të vijuar mësimin plotësues.

Ndryshe, takimet konsultative me diasporën, që u organizuan nga Ministria e Diasporës në bashkëpunim me Konsulatën e Republikës së Kosovës në Shtutgard, i paraprijnë organizimit të një konference kombëtare me temën "Institucionalizimi i arsimit në diasporë", që do të mbahet në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)