13 Nëntor 2019

Maturantët mitrovicas të suksesshëm 56.10 për qind

Prishtinë, 30 qershor - Vetëm një ankesë prej rreth 20 sosh nga nxënësit që ju kanë nënshtruar testit të maturës në Komunën e Mitrovicës ka marrë përgjigje pozitive nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Zyrtarët komunalë të arsimit thonë se shumica e ankesave kanë qenë më tepër lutje që të bëhen lëshime për shkak se kishin mbetur vetëm për një pikë pa e arritur nivelin e kalueshmërisë.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Ali Bejta, shprehet i kënaqur në përgjithësi me nivelin e treguar nga maturantët mitrovicas. “Në nivel komunal niveli i kalueshmërisë është 56.10 për qind”, tha ai.

Duke folur për shkollat veç e veç, ai fillimisht e përmendi suksesin e jashtëzakonshëm të maturantëve të shkollës së mesme të muzikës “Tefta Tashko”, të cilët kanë arritur të kalojnë qind për qind. “Si zakonisht e suksesshme ka dalur edhe shkolla e mjekësisë “Xheladin Deda”, maturantët e së cilës kanë arritur të kalojnë në masën 84 për qind”.

Drejtori Bejta tha se maturantët e gjimnazit “Frang Bardhi” kanë treguar sukses në masën 52.62 për qind, ata të shkollës së mesme të ekonomisë “Hasan Prishtina” 40.72 për qind, përderisa për shkollën e mesme teknike “Arkitekt Sinani” pritet një përgjigje nga MASHT për shkak të problemit që kishte dalur me testet.

Duke sqaruar më tej për këtë ai tha se ditën e testit, në shkollën teknike ishin sjellur testet joadekuate për atë shkollë. “Pas gjysmë ore ishte vërejtur se testet ishin gabim.

Ato teste ishin për gjimnaz dhe jo për teknikë. Testet adekuate ishin sjellur shumë me vonesë. Për këtë ne kemi kërkuar nga MASHT që të përsëritet testi në këtë shkollë, por ende nuk kemi marrë përgjigje”.             

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2019

- Save the Children në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik organizojnë konferencën ndërkombëtare ‘Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme’ që ka për qëllim të ofrojë mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit lidhur me dy projekte të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës siç janë, rehabilitimi i rrugës Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë ku edhe do të bëhet edhe publikimi i hulumtimit mbi arsyet e vonesave në punime në këto dy rrugë, i titulluar “Rrugë pa fund”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" VoRAE organizon Festivalin Multikulturorë i pari i këtij lloji në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”. (Qendra e konferencave Orion, ora 10:30)

- Në kuadër të fushatës “Jo drogë tek të rinjtë”, Task Forca Anti Drogë tek të rinjtë dhe siguri në Shkolla do të organizoj pritje për student, ku do të shfaqin prezantimet me njohurit e tyre lidhur me narkotikët, si dhe do të bashkëbisedojnë me Shefin e Task Forcës Anti Drogë. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 11:00) 

- Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenti, Visar Shehu, do të mbajë konferencë për shtyp për ta njoftuar opinionin publik me më të rejat nga fusha e shëndetësisë. (Zyret e Shërbimit Urgjent, rruga Tirana në Prizren, ora 11:00)

- Ambasada e Francës në Kosovë mban konferencë për media në të cilën do të prezantojë edicionin e 19 - të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë i cili organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. (Salla e konferencave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ora 12:00)

- Teatri i Qytetit te Mitrovicës "Muharrem Qena" shfaq premierën teatrore “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranci dhe me regji të Artan Tmavës. (Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ora 19:00)