05 Tetor 2022

MASHTI bën përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2021/22

Prishtinë, 20 gusht - Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Bërdyna në konferencën e rregullt për media ka folur për përgatitjet që janë duke u bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22, procesin e regjistrimit të nxënësve në të gjitha nivelet, afatin e dytë të Provimit të Maturës Shtetërore, vaksinimin e personelit arsimor dhe mbështetjen financiare të cilën MASHTI po e ofron për të rinjtë, me theks të veçantë mbështetjen e vajzave dhe grave për studime brenda dhe jashtë vendit.

Zëvendësministrja Maloku-Bërdyna bëri të ditur se, MASHTI është duke i bërë të gjitha përgatitjet që ky vit shkollor të fillojë me kohë dhe në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohemi që shkollat ti plotësojnë kushtet, si nga ana infrastrukturore, në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së, po ashtu edhe që mësimdhënësit të jenë të vaksinuar. 

Ajo bëri të ditur se 55.094 është numri i të vaksinuarve nga personeli arsimor në nivelin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, derisa shtoi se MASHTI do të përkrah shkollat me maska dhe dezinfektues. 

Ndër të tjera, zv/ministrja e Arsimit ka folur edhe për shpërndarjen e teksteve e cila do të bëhet në dy faza, derisa tha se po bëhen përgatitjet që tekstet të dërgohen me kohë në shkolla. 

Ajo gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Arsimit të hënën ka shpallë thirrje publike për mbështetje financiare për studentet vajza/gra në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (apo STEM në gjuhën angleze) të arsimit të lartë në Kosovë, ku totali i shumës në dispozicion që do të ndahet për këtë thirrje është 1 milion euro, me të cilën do të mbështeten 1 mijë studente të fushave STEM me nga 1mijë  euro në vit.

Maloku-Bërdyna foli edhe për listën e shpallur me emrat e studentëve përfitues të mbështetjes financiare, për të pranuarit në universitetet më të mira në botë, ku nga 531 studentë, janë përzgjedhur 16 studentët përfitues që do të mbështeten me nga 6 mijë e 500 euro. 

Kjo sipas saj, ka qenë hera e parë që MASHTI ka ofruar një mbështetje të tillë për studentët dhe se vitin e ardhshëm do të bëhen përpjekje që të shtohet kjo mbështetje. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 tetor 2022

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues në Gjilan. (Salla e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve pret sekretaren e ambasadës së Malit të Zi, Fedisa Dacić ku edhe do të mbahet konferenca për media lidhur me Forumin Ekonomik Ndërkombëtar Ulqini. (Objekti i AKB-së, ora 11:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. (Selia e FFK-së, ora 11:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton në parim Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:30)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit organizon ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve të aseteve përmes likuidimit nr. SHAL 59. (Hotel Grand, ora 12:30)

- Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrime Evropiane. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komuna e Gjilanit organizon mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e prof. dr. Shqiponja Isufit. (Salla e teatrit të qytetit të Gjilanit, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban mban konferencë për media. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 15:00)

- Zhvillohet ndeshja Kosovë - Itali në kuadër të Kualifikimeve e Evropianit U17. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 16:00)