24 Maj 2022

MASHT të ushtroj mbikëqyrjen e Bartësve të Arsimit të Lartë

Prishtinë, 23 dhjetor - Avokati i Popullit i adresoi një raport Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në lidhje me mos ushtrimin e mbikëqyrjes efektive ndaj funksionimit të Bartësve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës.

Avokati i Popullit në vazhdimësi ka pranuar ankesa nga studentë dhe ish studentë të kolegjeve private, bartës të arsimit të lartë në Kosovë që lidhen me mos mosnjohjen/mos verifikimin e diplomave të tyre, e të cilat në mënyrë të përmbledhura prezantohen në këtë raport. Raporti trajton disa aspekte: në rastin e parë, ankuesit kishin përfunduar programet studimore në Bartës të Arsimit të Lartë në drejtime të cilat nuk kishin pasur akreditim dhe licencë; në rastin e dytë, me rastin e regjistrimit të ankuesit në kolegj, kolegji kishte akreditim, mirëpo me rastin e përfundimit të studimeve, kolegjit i ishte refuzuar kërkesa për ri akreditim dhe si pasojë në këto raste diplomat e tyre ishin të pavlefshme, nuk mund të njihen/verifikohen dhe ankuesit nuk mund t’i vijonin studimet më tej. Në rastet e tjera, ankuesve nuk mund t’iu njihen/verifikohen diplomat për shkak të mosdorëzimit të librave amë nga Bartësit e Arsimit të Lartë dhe të njëjtët po ashtu nuk mund t’i vijojnë studimet më tej dhe as studimet jashtë vendit. 

Avokati i Popullit në raport të datës 2 dhjetor 2021, vlerëson se mosveprimi i institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore ka krijuar hapësirë që Bartësit e Arsimit të Lartë të funksionojë në kundërshtim me dispozitat ligjore, në mungesë të akreditimit dhe pa e dorëzuar ose thënë ndryshe mos administruar siç duhet dokumentacionin përkatës siç parashihet me dispozita ligjore,  përveç tjerash ka krijuar pasiguri, humbje financiare e thyerje morale tek studentët.

Duke qenë se akreditimi është proces që garanton se një institucion i arsimit të lartë dhe programet e tij i plotësojnë standardet ndërkombëtare të pranuara të cilësisë dhe se kualifikimet e lëshuara nga BAL-i u japin bartësve të tyre një numër të drejtash, Avokati i Popullit konstaton se disa Bartës të Arsimit të Lartë kanë lëshuar diploma në kundërshtim të plotë me procedurat e akreditimit dhe licencimit.

Avokati i Popullit konstaton se dorëzimi i librave amë në afatin e përcaktuar ligjor është obligim i Bartësve të Arsimit të Lartë, moszbatimi i tyre është përgjegjësi e secilit institucion që ushtron këtë veprimtari. Administrimi i të dhënave relevante për studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë është përgjegjësi e institucioneve. 

Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit t’i ndërmarrin veprimet ligjore lidhur me çështjen e njohjes/verifikimit të diplomave, në mënyrë që kjo çështje të përfundojë dhe studentët të mos përballen me probleme të kësaj natyre.

Për këto dhe çështjet tjera të trajtuara në Raport, Avokati i Popullit i rekomandoi Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që:

1. Të angazhohet që komisionet e formuara nga MAShTI t’i përfundojnë detyrat e dhëna në një afat të arsyeshëm kohor dhe çështja e njohjes/verifikimit të diplomave të marrë epilog, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe në pajtim me standardet evropiane.

2. Të sigurojë që Inspektorati i Arsimit, si organ ekzekutiv qendror, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet efektive për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të aplikueshëm nga të gjithë Bartësit e Arsimit të Lartë, deri në ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten.

Raportin e plotë (të redaktuar) mund ta lexoni në: https://bit.ly/3msOk9U

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2022

- Koalicionit për Transparencë dhe Integritet i themeluar dhe mbështetur nga KFOS-i, do të organizojë tryezë me temën “Pazari me tema të diplomës” ku do të diskutohet lidhur me shit-blerjen e temave të diplomës. (Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, ora 9:30)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës” ku të ftuar janë edhe Kryesuesi i Brodit dhe Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton raportin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit dhe Projektligjin për Akcizën në Produktet e Duhanit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mban dëgjim publik për Projektligjin për Produktet Biocide. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës organizon ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore, projekt i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. (Stadiumi i Qytetit në Shtime, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ prezanton Sistemin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë, para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- OJQ Aktiv prezanton publikimin “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet debati me temën “Liritë e mediave dhe pozita ekonomike e gazetarëve në Kosovë”. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti voton raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së, të IADK-së dhe të Komunës së Shtimes vizitojnë Florije Bislimin, njëra nga përfitueset e projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”. (Fshari Godanc në Shtime, ora 11:40)

- Në kuadër të programit dhe ekspozitës Babylonian Vision të artistes Nora Al-Badri qe qëndron e hapur në Galeria 17 mbahet diskutim me temë "Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi i muzeve". (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Rrjeti i Biznesit të Globit. (Vali Ranch në Gjilan, ora 18:30)