29 Mars 2024

MASHT shënon 20 vjetorin e pavarësimit të shkollës shqipe

Prishtinë, 20 janar - Organizatorë të arsimit në vitet më të rënda të mbijetesës së arsimit në gjuhën shqipe, udhëheqës të lartë të arsimit në vend, drejtorë komunalë të arsimit, mësimdhënës e pronarë të shtëpive-shkolla të viteve 1992-1999, kanë marrë pjesë në një ceremoni solemne,me të cilën MASHT-i ka shënuar 20 vjetorin e pavarësimit të shkollës shqipe në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shekncës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me këtë rast tha se ndjehet i privilegjuar që ndodhet para njerëzve që kryen një mision të shenjtë për shtetberjen e Republikës së Kosovës.

“Nuk ka gjë më të çmuar se të ofrosh arsimim”, theksoi ai, ndërsa tha se kjo datë, pra data 20 janar, shënon lirimin e shtëpive nga qytetarët për t’u bërë shkolla fillore dhe të mesme në vitin 1992 dhe atë me një ngrohtësi të madhe.

“Këtë, pronarët e shtëpive që lëshuan ato për t’i bërë shkolla e bënë për ne dhe po të mos kishim shkolla e universitet në atë kohë, nuk do ta kishim as shtetin që kemi sot”, tha ai, ndërsa përmendi edhe faktin se atë kohë, përveq nxënësve dhe mësidhënësve, nga institucionet e tyre u dëbuan edhe institucionet tjera.

“Por, ju e mbajtët gjallë. Kjo është pjesë e krenarisë suaj dhe tonës për t’u shndërruar në mrekulli”, tha ministri Buja.

Ministri i Arsimit theksoi se kjo ceremoni është organizuar nga ministria që drejton ai, për të nderuar me mirënjohje në mënyrë simbolike të gjithë kontribuesit e organizimit të arsimit të asaj kohe.

Ministri Buja bëri të ditur se MASHT-i ka marrë vendim që të shndërrojë në muze shtëpinë-shkollë të Mehmet Aliut në lagjen Kodra e Trimave, ku në atë kohë kanë mësuar nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”. Kjo shkollë është vendosur të emërtohet më emrin e flakadanit të parë të arsimit “Mehmet Gjevori”.

Ndërsa, Mehmet Hajrizi, kryetar i Këshillit Qëndror të Financimit, i cili funksionoi në atë kohë, foli për orgtanizimin e këtij këshilli dhe rolin e tij në mbijetesën e arsimit shqip të asaj kohe, por edhe të shumë sektorëve tjerë.

Rexhep Osmani, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, e cila barti mbi vete në barrë të madhe të organizimit të arsimit gjatë atyre viteve, kur shqiptarët ishin dëbuar nga institucionet dhe shkollat e universitetet, ndër të tjera lexoi edhe apelin e bërë nga kjo Lidhje më datën 19 janar, ku iu bëhej thirrje rreth gjysmë milioni nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve që të kthehen në institucionet e organizuara nëpër shtëpi.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa tha se Republika e Kosovës u bë shteti i vetëm në historinë më të re të njerëzimit që organizonte një formë të tillë të arsimit. “Qeveria e Kosovës, respektivisht MASHT-i përkulet para gjithë këtyre idealistëve...”, tha ai.

Me këtë rast, MASHT-i ndau mirënjohje, në mënyrë simbolike për një pjesë të atyre që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme në organizimin e arsimimit shqip gjatë atyre viteve.

Ndonëse janë rreth 3200 pronarë që atë kohë lëshuan shtëpitë e tyre për qindra mijëra nxënës, studentë e mësimdhënës, vetëm që të mbijetonte arsimi shqip, mirënjohje morën 10 nga ata, ndërsa, organizatorët bënë të ditur se mirënjohjet tjera do të ndahen në bashkëpunim me kuvendet komunale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)