18 Prill 2024

MASHT me politika të reja për përmirësimin e gjendjes në arsim

Prishtinë, 23 prill - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë sot në takimin e Komisionit të Granteve, ku u bë shqyrtimi i propozimit të granteve qeveritare për financimin e komunave për vitin 2020, me ç’rast ka paraqitur politikat e reja arsimore, për të cilat edhe ka kërkuar mbështetjen financiare.

Duke shprehur shqetësimin sa i përket mungesës së legjislacionit në fuqi, ministri Bytyqi, ka paraqitur kërkesën e Ministrisë së Arsimit për ndarje të buxhetit, për rregullimin  e çështjes së pensionit invalidor për personelin edukativo-arsimor.

Ministri Bytyqi ka kërkuar mbështetjen financiare për ofrimin e shtatëdhjetë për qind të pagës bazë për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore, numri i të cilëve është mbi 300 dhe lirimin nga mësimdhënia aktive dhe në të njëjtën kohë angazhimin e mësimdhënësve të rinj në vendet përkatëse të punës.

Përveç planifikimit konform legjislacionit, ka thënë ministri Bytyqi, kemi planifikuar edhe një varg politikash të reja, të cilat lidhen direkt me përmirësimin e gjendjes në arsim dhe ngritjen e cilësisë, e që janë kërkesa për 100 asistentë shtesë për fëmijët me nevoja të veçanta, realizimi i praktikës profesionale për nxënësit e arsimit dhe aftësimit profesional dhe pagesën e orës së kujdestarisë, me qëllim parandalimin e dukurive devijuese te nxënësit.

Duke pasur parasysh pagesën e pagave jubilare të cilat realizohen përmes proceseve gjyqësore, ministri Bytyqi ka kërkuar që kostoja për pagat jubilare të përfshihet në gratin specifik të arsimit.

Po ashtu, edhe pagat për mësimdhënësit e gjuhës së dytë obligative, pagat e zëvendësdrejtorëve për bashkëpunim me ndërmarrje për Shkollat e Mesme Profesionale, si dhe pagat e këshilltarëve të karrierës, me të cilët synohet orientimi dhe përgatitja e nxënësve për orientimin në karrierë janë përfshirë në politikat e reja të Ministrisë së Arsimit.

Në fund të takimit, ministri Bytyqi ka kërkuar ndarje të buxhetit për komuna, në funksion të rritjes së përfshirjes së fëmijëve edhe me pesë për qind të grup moshave 6 muaj deri në 5 vjeç dhe fillimin e pilotimit të mësimit tërëditor në 29 shkolla në nivel vendi.

Duke pasur në konsideratë të plotë kërkesat dhe nevojat e shumta të komunave, në secilin segment dhe mundësitë buxhetore të shtetit dhe për faktin që arsimi është i të gjithëve, Ministri ka kërkuar që në vijimësi të takimeve që kanë të bëjnë me planifikime buxhetore, të gjejnë mbështetje të plotë të gjitha këto politika të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)