20 Gusht 2019

MASHT fsheh skandalin me parregullstitë e librave amzë

Prishtinë, 24 korrik - Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se gjatë 5 muajve të fundit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministri tashmë i qeverisë së dorëhequr, kabineti i tij dhe sekretari i kësaj ministrie kanë fshehur me vetëdije të plotë skandalin me parregullstitë e librave amzë të institucioneve të Arsimit të Lartë ku ruhen të dhënat e studentëve të Kosovës.

Pas shumë kërkesave zyrtare e publike të Ismajl Kurteshit, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje!, dhe kryetar i Komisionit parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Inovacione dhe ndërmarrësi, Kabineti i Ministrit Bytyqi dërgoi dokumentin e kërkuar.

Kjo çështje është një nga skandalet dhe dëmet e mëdha që i janë bërë Arsimit të lartë, studentëve nga Ministrat e Arsimit, përfshirë dhe këtë të fundit, Inspektoriati dhe çdo zyrtar që ka heshtur prej kaq vitesh dhe ka lejuar që ky dëm të marrë përmasa të tilla.

Gjeni më poshtë fjalën e plotë të Kryetarit të Komisionit parlamentar për Arsim, deputetit nga LVV, Ismajl Kurteshi

Letra e zyrtares Gagica drejtuar ministrit, sekretarit dhe zyrtarëve të tjerë të lart të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me 11 shkurt të këtij viti, përmes të cilës alarmonte se po ndodhin parregullsi të përmasave të jashtëzakonshme me Librat Amëz të kolegjeve private, më nxiti që ta kërkoj raportin në fjalë.

U deshën pesë muaj përpjekje për ta siguruar këtë raport edhe pse e kisha kërkuar në formë të rregullt, me shkrim, në cilësinë e deputetit dhe kryetarit të Komisionit për Arsim, nga Sekretari i MASHT-it dhe vet Ministri.

Cila ishte arsyeja e mbajtjes të fshehur të këtij dokumenti më së miri flet letra përcjellëse e nënshkruar nga shefi i Kabinetit të Ministrit Bytyqi, z.Baton Dushi.

Në letrën përcjellëse të raportit në lidhje me Librat Amëz të Kolegjeve, të dërguar në adresën time me 14 korrik, të nënshkruar nga z. Baton Dushi, MASHT, ndër të tjerat thuhet:

“... Më lejoni t’ju informoj se gjatë viteve të kaluara , në shumë raste , Kolegjet Private po ashtu dhe Universitetet Publike, nuk i kanë dorëzuar brenda afatit Librat Amëz në MASHT, apo nuk i kanë dorëzuar fare dhe si pasoj e kësaj gjendje, një numëri të madh të studentëve nuk mund t’u verifikohej diploma e studimeve ... kjo problematik serioze është trashëguar nga kabinetet e kaluara, të cilat nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta zgjidhur këtë situatë.

Vlen të theksohet se probleme të tilla pra nuk kemi trashëguar vetëm nga kolegjet private por edhe nga disa universitete publike... Duhet të sqarohet se përgjegjësinë fillestare e kanë Kolegjet dhe Universitetet me mosrespektim të afateve ligjore për dorëzim të Librave Amë, si dhe Ministria deri në mandatin tonë, meqë nuk ka ndërmarrë asnjë masë ligjore kundrejt tyre dhe nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje për studentë, edhe asaj i faturohet faj i mjaftueshëm. Dikasteri i Arsimit është këtu për t’i shërbyer publikut dhe ja që Kabinetet pararendëse nuk e kanë përmbushur këtë detyrë ndaj interesit publik!”.

Siç po shihet ky problem shtrihet dhe në universitet publike. Fatkeqësisht ne nuk kemi raport për këto raste. Edhe pse brenda Ministri me siguri që ekziston një i tillë.

Çka do të thotë të jesh student dhe të mos jesh i regjistruar në librat amëz?

Përballë shtetit pavarësisht kohës së kaluar në Institucionet e Arsimit të Lartë qoftë në ato publike a private dhe pavarësisht pagesave financiare, një studenti të paregjistruar në këto libra nuk i njihet as diploma as studimet edhe kur e merr dokumentin të quajtur diplomë.

Pra, një dëm i madh dhe i pariparueshëm ka ndodhur me të rinjtë e të rejat tona. Ata kanë besuar se po kryejnë studimet e tyre universitare në fakt kanë qenë të mashtruar.

Prandaj kabineti aktual i Ministrisë së Arsimit në këtë drejtim, nuk dallon aspak nga kabinetet tjera, ky kabinet është përpjekur ta mbaj të fshehur këtë shkelje të papresedan nga publiku, e kjo është shkelje në vehte. Kabineti aktual bartë përgjegjësi si kabinetet pararendëse.

Kabineti aktual këto ditë po punon në nxjerrjen e një Udhëzimi Administrativ i cili do t’i legjitimonte këto shkelje, sidomos neni 5 i këtij udhëzimi. Prandaj ky Udhëzim Administrativ nuk do të duhej të përdorej.

Në raportin që unë sot do ta bëjë publik shihet se një numër i konsiderueshëm i kolegjeve Librat Amëz ose i kanë dorëzuar me vonëse ose nuk i kanë dorëzuar fare.

Librat Amëz të dorëzuara në Ministrinë e Arsimit, ose janë të paprotokolluara, ose janë të pambyllura, ose të panënshkruara, ose janë të nënshkruara por nuk janë të vulosura por sigurisht ka edhe të atilla që janë në rregull.

Duke e njoftuar opinionin me këto parregullsi që me vetëdije i ka lejuar MASHT-i, nuk ka asnjë arsye që me këtë çështje të mos merret Prokuroria e Shtetit.

Qeveria është në dorëheqje ndaj kërkoj nga Ministri i Arsimit të mos marrë vendime që nuk i lejohet një ministri në dorëheqje, siç që janë botimi i teksteve të kontestuara shkollore, përdorimin e Udhëzimit Administrativ Për verifikimin, vërtetimin dhe vulosjen e dokumentacionit të lëshuar nga Institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe Arsimit të lartë me qëllim të përdorimit jashtë vendit.

Unë po ua dorëzoj sot këtu raportin ashtu si e ka dërguar MASHT-i.

Përndryshe kjo qeveri bashkë me Ministrinë e Arsimit do të mbahen në mend për:

Diskreditimin e arsimit universitar duke e përjashtuar atë nga EQAR.
Çorganizimin e brendshëm të MASHT-it
Emërimet dhe shkarrkime të paligjshme.
Cenimin e procesit mësimor për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik dhe përplasjet Qeveri-SBAShK.
Komprometimin me procesin e hartimit të teksteve të reja shkollore.
Ndërhyrjen në procesin e vlerësimit të universiteteve nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe mosakreditimin e tyre.
Mungesën e buxhetit për kërkimin shkencor dhe dështimin e kurrikulës për edukimin e hershëm (çerdheve), e dështime të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)