17 Tetor 2018

MASHT e përkushtuar që ta zhvilloj shkencën, teknologjinë dhe inovacionin

Kijoto, 8 tetor - Në kuadër të forumit të Shkencës dhe Teknologjisë në Shoqëri (STS), që është duke u mbajtur në Kijoto të Japonisë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë takimin ndërministror me ministrat e shteteve pjesëmarrëse në këtë Forum, e ku morën pjesë mbi 28 ministra.

Në këtë takim ndërministror, të cilin e kryesoi ministri për Shkencë, Teknologji dhe Inovacion i Japonisë, z. Takuya Hirai, është diskutuar për rolin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit (STI) dhe për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Gjatë fjalës së tij, ministri Bytyqi ka theksuar se ky forum ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rolin dhe zhvillimin e shkencës, teknologjisë dhe informacionit në terren, veçanërisht në shtetet nga  vijmë ne dhe për më tepër, ai ka theksuar se kjo lehtëson bashkëpunimin e palëve të interesuara dhe ndarjen e praktikave më të mira.

Gjithashtu, ministri Bytyqi theksoi se MAShT, në kuadër të kompetencave që ka, është e përkushtuar të reformojë fushën arsimit të lartë në vend, me qëllim që të kemi një arsim të lartë ku shkenca, teknologjia dhe inovacioni zënë vend të parë në arsimimin e gjeneratave te reja.

“Ne si Ministri e kuptojmë se proceset e përgjithshme zhvillimore në botë janë të lidhura ngushtë me shkencën, teknologjinë dhe inovacionin. Kjo paraqet bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social dhe pa një zhvillim shkencor të qëndrueshëm nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme dhe rrjedhimisht një shoqëri të përparuar dhe si rrjedhojë e kësaj duhet rritur investimet në këtë sektor në mënyrë urgjente”, tha ministri Bytyqi.

Në fund të takimit, ministri Bytyqi i ka përgëzuar organizatorët që kanë dhënë këtë mundësi për të diskutuar, rishikuar dhe shkëmbyer pikëpamjet mbi shkencën, teknologjinë dhe inovacionin për një zhvillim të qëndrueshëm dhe u shpreh i sigurt se të gjithë së bashku do të përfitojmë nga këto përpjekje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 tetor 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ministrisë se Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP". (Rektorati i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet tryeza e kampanjës informuese “Kodi Civil ndikon në statusin ligjor të qytetarëve”, organizuar nga  projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”. (Hotel Happy në Gjakovë, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, të cilin do ta nderojë me medaljen e Gjergj Kastritot - Skenderbeu. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Pesë profesorë  nga Budapesti do të vizitojnë  Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku edhe promovohet libri “Distribution atlas of vascular plants in Albania” botuar nga botanisti prof. dr. Zoltán Barina dhe mbahet një ligjëratë nga prof. dr. Antal Molnár. (Amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore. (Kabineti i Ministrit Matoshi, kati 17, ish objekti “Rilindja”, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa në të cilën do të shqyrtohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Automjete, për Efiçiencë të energjisë, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përuron objektin e Qendrës Rinore në Vushtrri. (Vushtrri, ora 11:00)

- Drejtori i Mbrojtjes dhe Shpetimit, Sami Spahiu nga Komuna e Gjilanit mban konferencë për media. (Zyra e krytarit të komunës, ora 11:00)

- Let’s Do It Kosova do të organizoj aksionin e pastrimit në Lipjan. (Oborri i Komunës së Lipjanit, ora 12:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të mbajë mbledhjen e radhës në të cilën do të shqyrtoj vlerësimet e sindikatës së MPJ-së lidhur me shkeljet në shërbimin e jashtëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N-303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyrat e Vetëvendosjes, ora 15:00)

-  Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, merr pjesë në takim me struktura drejtuese të Nismës në Vushtrri dhe Mitrovicë. (Restaurant Holiday në Vushtrri, ora 17:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në hapjen e “Java e bizneseve nga diaspora”, e cila organizohet nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. (Hotel Emerald, ora 19:00)