08 Prill 2020

LDK: Qeveria nuk ka vizion për arsimin dhe shkencën

Prishtinë, 15 mars - Ekspertë të arsimit nga radhët e Lidhjes Demokratike te Kosovës (LDK), në një konferencë për media thanë sot se qeverisja aktuale nuk ka vizion për arsimin dhe shkencën, duke mos i mbështetur politikisht dhe financiarisht.

 Ekspertë të arsimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, paraqitën disa vërejtje për qeverinë, me theks të veçantë në fushën e arsimit.

Kujtim Shala, tha se qeveria ka bërë investime të pakta dhe të gabuara, duke zvogëluar buxhetin vit pas viti dhe ka diskriminuar komunat që nuk i administron PDK-ja.

“Qeveria aktuale në vijimësi e ka provuar që nuk ka vizion për arsimin dhe shkencën, nuk i mbështet ato politikisht e as financiarisht. Kjo qeveri nuk i respekton ligjet e detyrimet që ka, nuk i respekton dokumentet themelore të fushës së arsimit dhe të shkencës dhe vepron pa politika e pa standarde”, tha Shala.

Shala tha se qeveria ka dëmtuar edhe arsimtarët, të cilëve iu ka borxh pagat me rritje nga janari dhe shkurti i viti të kaluar. Sipas tij, arsimi nuk ka cilësi të duhur e nuk është konkurrent as me vendet e rajonit. Shala paraqiti orientimet politike të LDK-së, të miratuara nga Kuvendi Punues, në të cilat përcaktohet perspektiva evropiane e arsimit dhe e shkencës në Republikën e Kosovës.

“LDK-ja angazhohet për një sistem arsimor gjithëpërfshirës, që siguron kushte për formim cilësor dhe në përputhje me nevojat e tregut të punës e të shoqërisë. LDK-ja do të angazhohet që cilësia dhe efektiviteti në arsim të rriten në të gjitha nivelet dhe të jenë të integruara, përfshirë edhe sistemin e trajnimit dhe atë të kalimit nga shkolla në punë kualitative, me qëllim të krijimit të një strukture punuese me aftësi të lartë”, tha Shala.

LDK-ja e konsideron me rëndësi të veçantë krijimin e një sistemi të integruar për shfrytëzimin efikas të krijimtarisë shkencore-hulumtuese të Kosovës dhe integrimin e Kosovës në Hapësirën Evropiane të Hulumtimeve. Ekspertët e LDK-së, u zotuan se do të punojnë për rritje të vazhdueshme të buxhetit për arsimin dhe shkencën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Prill 2020

- Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj- Berisha dhe prof.Sali Ahmeti, do të  prononcohen për medie ku do të  jepen informatat e fundit lidhur me trajtimin e pacientëve me Covid-19. (Para Klinikës Infektive, ora 11:00)

- Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë Rene Escheman me pjesëmarrës ambasadorin gjerman në Kosovë Christian Held nënshkruajnë dy marrëveshje grant “Rritja e Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore” dhe “Fondi i Sfidave të Kosovës - Arsimi Profesional dhe Trajnimi”. (Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ora 11:45)

- Mbërrin kontingjenti i parë i masave mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore, donacion i Republikës së Turqisë, për institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës epidemiologjike me Covid-19. (ANP “Adem Jashari”, ora 15:45)