20 Prill 2024

LDK: Qeveria nuk e trajton me prioritet arsimin

Prishtinë, 27 dhjetor - Këshilli i Ekspertëve të Arsimit dhe të Shkencës të nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlërsuar se gjatë viti 2012 investimet në fushën e arsimit kanë qenë tepër të vogla, meqë buxheti ka qenë tepër i vogël.

Kujtim Shala nga ky këshill ka thënë se arsimi, shkenca dhe teknologjia kanë marrë rreth 3% të buxhetit të përgjithshëm, përqindje kjo tepër e ulët, qoftë kur krahasohet me nevojat e Kosovës, qoftë kur krahasohet me mesataren evropiane, e cila shkon mbi 6 %.

Nga investimet kapitale të projektuara për vitin 2012 vetëm 2.5 milionë euro sipas tij janë investime të reja, të tjerat janë të bartura dhe të pakryera edhe në harkun kohor këtij viti.

Ai ka vlërsuar se kjo dëshmon se Qeveria nuk e trajton me prioritet arsimin, prandaj nuk e ka prioritet zhvillimin e vendit, sepse pa arsim cilësor nuk mund të ketë zhvillim e pa investime, arsim cilësor nuk ka.

"Qeveria ka vijuar ta shkelë sistematikisht Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, duke ia dhënë të drejtën për përcaktimin e prioriteteve për investime kapitale në komuna ministrisë së linjës."

"Kjo ministri, pra MASHT-i, për shkak të politikave të gabuara, tash e katër vjet nuk ka arritur të përmbyllë procesin e ndërtimit të 23 shkollave të reja, një numër i të cilave është bartur në buxhetin e vitit 2013", ka potencuar Shala.


Shkelja e këtij ligji sipas tij është shoqëruar me shpërndarje jo të drejtë të investimeve, me favorizimin e komunave që i administron PDK-ja dhe keqmenaxhim të buxhetit nga ana e MASHT-it.

Ai ka marr shembull një shkollë e quajtur “model” Komuna e Prishtinës e ndërton me 1 milion e  200 mijë euro, ndërsa Qeverisë për të njëjtën i duhen 2 deri në 2 milionë e 200 mijë euro.

Shpërndarja jo e drejtë sipas tij është përsëritur edhe në Ligjin për Buxhetin 2013. Ky Ligj e përsërit shpërputhjen jonormale, në të cilën në kryeqytet investohet 20 herë më pak se në ndonjë komunë të vogël që administrohet PDK-ja.

"Na lejoni të rikujtojmë se në periudhën 2010-2012, në komunat që udhëhiqen nga PDK-ja në arsim është investuar mesatarisht, për kokë banori, dy herë më shumë në komunat që udhëhiqen nga LDK-ja."

"Për shembull, në vitin 2012 janë investuar 11 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, ndërsa vetëm 6 euro në komunat që udhëhiqen nga LDK-ja, si dhe 7 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga AAK-ja. Këto dallime bëhen edhe më të mëdha nëse analizohen investimet nëpër komuna veç e veç. Mjafton të theksojmë se do të gjeni komuna në të cilat në tri vitet e fundit nuk është investuar asnjë cent", ka theskuar Shala.

Për vitin 2013, Qeveria ka projektuar që investimet kapitale në fushën e arsimit të jenë 22.6 milionë euro, shifër kjo që përbën vetëm 1.42% të shpenzimeve buxhetore apo 3.64% të investimeve kapitale.

Kjo shifër sipas LDK-së është tejet e ulët dhe tejet e pamjaftueshme dhe kështu nuk do të arrihet që të përmirësohen kushtet e punës dhe rrjedhimisht nuk do të mund të ketë as ngritje të cilësisë.

Brenda kësaj shume pritet të shpenzohen 2.6 milionë euro për blerjen e librave, që në vitet e fundit po bëhet në kundërshtim me ligjin përkatës dhe në mungesë të plotë transparence, madje pa u ekspozuar as çmimi i blerjes (furnizues), siç kërkohet me ligj.

Shala ka thënë se dyshimet për keqpërdorime rriten edhe me shumë në rastet kur projekte pa ndonjë emërtim shpallen si projekte kapitale në vazhdim.

Në Ligjin për Buxhetin 2013, në një rast tek investimet në shkolla, nuk është përcaktuar fare se në cilën komunë do të ndërtohet një shkollë fillore në vlerë prej 700.000 eurosh.

Edhe Studimi i Fizibilitetit i Komisionit Evropian ka evidentuar ngecje të mëdha në fushën e arsimit dhe të shkencës në Kosovë gjatë viti 2012. Ngecjet e evidentuara janë dukshëm më të mëdha se në vitin 2011.

Ky studim thekson se për të përmbushur obligimet e veta drejt MSA-së, Kosova duhet t’i rrisë ndjeshëm investimet në arsim dhe në shkencë.

Mungesat e mëdha në fushën e shkencës kanë bërë që studimi në fjalë të propozojë krijimin e një Fondi Kërkimor për të mbështetur aktivitetet e studiuesve dhe për të ndërtuar kapacitet e institucioneve shkencore-hulumtuese në Kosovë.

Studimi i thekson si sfida kryesore mungesën e personelit të kualifikuar shkencërisht, problemet dhe numrin e ulët të kandidatëve të regjistruar në studimet doktorale, pamundësinë për hulumtime empirike, mungesën e pajisjeve teknike etj.

Studimi vëren se Komuniteti i Hulumtuesve në Kosovë mbetet izoluar në raport me bashkësi në ndërkombëtare shkencore.

Po ashtu, studimi evidenton mungesat e një numri programesh studimore të domosdoshme, si dhe paaftësinë e sistemit të arsimit për të adresuar nevojat e nxënësve me aftësi të kufizuara.

Edhe cilësia në sistemin e arsimit sipas LDK-së vijon të jetë jo e kënaqshme.

Shala ka theksuar se shkallën e ulët të cilësisë e reflektojnë edhe rezultatet jo të mira në provimet shtetërore, ndërsa cilësia në arsimin e lartë është rrezikuar edhe duke themeluar universitete publike elektorale.

"Ne kemi shumë universitete, pak cilësi e aspak politika për arsimin e lartë.Cilësia do të dëmtohet edhe më tej nga vendimi i ministrit të Arsimit me të cilin ulet shkalla e kalueshmërisë në provimin shtetëror të maturës. Një vendim i tillë bëhet edhe më i dëmshëm për programet universitare në të cilat kandidatët regjistrohen pa provim pranues", ka nënvizuar ai.

Lidhja Demokratike Kosovës kërkon nga MASHT-i që të sqarojë këto shpërputhje, meqë një pasqyrë e tillë ngjall dyshime për manipulimin e disa milionave euro nga buxheti i Republikës së Kosovës, nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)