24 Maj 2019

LDK kërkon shkarkimin e Rexhep Hotit, koordinatorit nacional për rini

Prishtinë, 16 maj - Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar ashpër Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti i cili së fundi ishte organizator  i “Garës Nacionale të Diturisë” në të gjitha shkollat e vendit.

Lidhur me këtë deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku  në emër të grupit parlamentar të LDK-së ka kërkuar shkarkimin e koordinatorit Rexhep Hoti.

“LDK kërkon që të shkarkohet menjëherë koordinatori i programit nacional, Rexhep Hoti, të ndërpritet programi nacional për rini që kohë më parë është miratuar nga Qeveria, të mos vazhdohet shpenzimi kot i mjeteve financiare por këto mjete të kthehen dhe të dedikohen për drejtoritë e komunave dhe shkollave tona dhe të ndahen edhe për bursa për studentët e dalluar, të ndalohet gara e këtij lloji skandaloz, të kërkohet hetim për mënyrën e shfrytëzimit të parasë publike nga koordinatori i programit nacional”, ka thënë Bunjaku.

Ajo ka kërkuar që përgjegjësinë e aktiviteteve brenda shkollave duhet ta merr ministria e Arsimit e jo të përzihen kompetencat mes ministrisë së Kulturës e Arsimit.

Deputetja ka paraqitur disa nga dështimet që sipas saj kanë ndodhur ditën kur është mbajtur testi.

Sipas saj me të filluar testimi ato janë shpërndarë në rrjetet sociale.

Ajo ka bërë të ditur se do të thërrasin në interpelancë kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi për këtë çështje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019

- Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

 - Shënohet 19 vjetori i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. (Pallati i Kulturës” Asim Vokshi” , Gjakovë, ora 18:00)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)