07 Tetor 2022

Kurrikulat arsimore të reflektojnë nevojat e ndryshueshme të sektorit privat

Prishtinë, 18 gusht - Nevoja për përshtatjen e kurrikulave mësimore të institucioneve të arsimit formal dhe profesional me nevojat e komunitetit të biznesit ishte temë e diskutimit të forumit mbi Përshtatjen e Kurrikulave, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Dukagjin Pupovci tha se është fare e kuptueshme që komuniteti i biznesit të kërkojë që shkathtësitë e fuqisë punëtore të jenë në përputhje me nevojat e tyre.

Ai tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është në proces të hartimit të Strategjisë së re të Arsimit.

Ai tha se kurrikula e re e Kosovës ka filluar të zbatohet në mënyrë të plotë në të gjitha shkollat e Kosovës që nga viti 2017, dhe fokusohet në gjashtë kompetenca kryesore: kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit, kompetenca e të menduarit, kompetenca e të mësuarit, kompetenca për jetë, punë dhe mjedis, si dhe kompetenca personale dhe qytetare.

Ai tha se në procesin e hartimit të legjislacionit të ri, strategjisë së re, por edhe të kurrikulave të reja, roli i komunitetit të biznesit është shumë i rëndësishëm, duke ftuar përfaqësuesit e bizneseve që të japin kontributin e tyre në këtë aspekt, ashtu që kërkesat dhe propozimet e tyre të reflektojnë në dokumentet që kanë për synim reformimin e sistemit arsimor.

Arianit Fazliu nga kompania KUTIA, e cila operon në sektorin e teknologjisë së informacionit, tha se kurrikulat duhet të shihen si projekte të gjalla dhe jo si produkte që krijohen për një kohë të caktuar. Në këtë mënyrë ato do t’u përshtateshin nevojave shpejtë të ndryshueshme të bizneseve dhe rrjedhimisht të tregut të punës.

Ai foli edhe për rëndësinë e përfshirjes së lëndëve të caktuara mësimore siç është kodimi në klasat më të hershme të ciklit të ulët fillor. Fazliu tha se krahas adoptimit të kurrikulave të duhura, të rëndësishme janë edhe adoptimi i metodologjisë së duhur të mësimdhënies, por edhe trajnimi i duhur i mësimdhënësve.

Ndërsa, Jeton Veseli nga kompania FRONT, që operon në sektorin e ndërtimtarisë, tha se nevojitet një ndërlidhje më e mirë me nxënësit e drejtimeve profesionale teknike me sektorin e ndërtimtarisë në veçanti dhe me sektorët e tjerë në përgjithësi, meqë në këtë mënyrë nxënësit do të kenë mundësi të shohin edhe aspektin praktik dhe teknologjik të mësimeve teorike të cilat i marrin nëpër shkolla ose qendra të aftësimit profesional.

Ai tha se Qeveria duhet të ofrojë stimuj fiskalë ose monetarë për kompanitë të cilat do të ishin të interesuara të hapnin dyert e tyre për praktikantët nxënës ose studentë.

Pjesëmarrësit e forumit ngritën shqetësimet e tyre lidhur me disponueshmërinë e fuqisë së kualifikuar punëtore, nevojës së ndryshimit të qasjes së mësimdhënies, por edhe rolit të institucioneve shtetërore të cilësisë arsimore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 tetor 2022 - Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese shqyrton nominimet e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me përmbushjen e kushteve të parapara me Kushtetutë dhe Ligj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 9:00)

- Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Caritas Zviceran në Kosovë lansojn thirrjen “Projektet Investuese të Diasporës” në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë – MARDI”. (Ndërtesën Qeverisë, salla P38, ora 9:30)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi mban konferencë për medie lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi. (Holli i Kuvendit të Kosovë, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë publikojnë përmbledhjen e politikave 'Dispozitat për koston e lejes së lindjes, atësisë dhe pushimit prindëror në Ligjin e Punës', të shkruar nga Dita Dobranja në emër të RrGK-së. (Hotel Sirus, ora 10:00)

- OJQ Aktiv organizon prezantimin e “Udhëzuesin për verifikimin bazë të informacionit mediatic” i cili është i dedikuar kryesisht për komunitetin serb të Kosovës. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitovicën e Veriut, ora 11:00)

- Sekretari Gjeneral i FIBA Andreas Zagklis takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, ora 11:00)