04 Qershor 2020

KSHC shqyrton aplikacionet e institucioneve të arsimit të lartë

Prishtinë, 7 prill - Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Republikës së Kosovës, ka mbajtur më 1 prill 2020 mbledhjen e 80-të, në të cilën janë shqyrtuar aplikacionet e institucioneve të arsimit të lartë (IAL), për programet ekzistuese dhe programet e reja të studimeve në nivelet bachelor dhe master.

Kryetari i KSHC-së, Prof. Dr. Gazmend Luboteni ka thënë se për shkak të gjendjes së emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga virusi Covid-19, mbledhja është mbajtur online dhe në të kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e KShC-së, vendorë dhe ndërkombëtarë.

Lubetin ka thënë së pothuajse të gjitha vendimet për aplikacionet e IAL-ve janë marrë me unanimitet.

Në mbledhjen paraprake të KShC-së, mbajtur më 16 dhe 17 shumica e aplikacioneve të pranuara ishin aprovuar.

"Megjithatë, për një numër të aplikacioneve KShC-ja u kishte dhënë afat shtesë IAL-ve në mënyrë që të sigurohet se aplikacionet e tyre përfshijnë numrin e kërkuar të stafit të fushës për secilin program që mendojnë ta ofrojnë. Institucionet duhet ta përmbushin këtë kriter ligjor për të kaluar në hapin e radhës, vlerësimin e programeve akademike nga ekspertët ndërkombëtarë", ka theksuar Luboteni.

Pas miratimit të listës së ekspertëve ndërkombëtarë javën e kaluar dhe vendimit për aplikacionet e institucioneve të arsimit të lartë, në mbledhjen e 80-të të KShC-së, tanimë sipas tij hapet rruga për procesin e formimit të paneleve të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësim të institucioneve në akreditim e sipër dhe programeve të studimit.

"KShC dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), përkundër rrethanave të vështira të shkaktuara nga pandemia Covid-19, po bëjnë punë të jashtëzakonshme për të zbatuar përgjegjësitë ligjore dhe institucionale për të siguruar se një proces efikas dhe efektiv, një akreditim profesional  do të kontribujë në zhvillimin e rritjen e vazhdueshme të arsimit të lartë në Kosovë.", ka deklaruar në fund Luboteni.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020

- Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)
   
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
   
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)