29 Mars 2024

Kryeministri Kurti vendosi gurthemelin e Shkollës Fillore në Ponoshec

Gjakovë 19 tetor - Në fshatin Ponoshec të Komunës së Gjakovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vendosi gurthemelin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, investim ky i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Vlera financiare e këtij projekti është 1.2 milion euro, por vlera reale për brezat e rinj që do të shkollohen e do të edukohen këtu nuk mund të llogaritet. Ajo është e pamatshme.

Krahas dijes shkencore, shkolla ofron edhe edukimin vleror, që të bëhet pjesë formuese e fëmijëve tanë e shpresë për Republikën tonë.

Ky është investimi më i mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tonë, tha Kryeministri Kurti, në këtë ceremoni.

Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Miresh të Gjilanit, ndërkaq sot, jemi në Ponoshec të Gjakovës, kaq afër Shqipërisë këtu.

Po punojmë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, çerdheve, adaptimin e hapësirave ekzistuese diku dhe për përmirësimin e kushteve e të mjeteve mësimore, shtoi kryeministri.

Kjo shkollë, ka sipërfaqe 2.800 metra katror. Është projektuar në dy kate, me 8 klasë mësimi, një hapësirë ndihmëse për pushim për parashkollorët, kantinë me kuzhinë, dhomë të kompjuterëve, dhomë të leximit me bibliotekë, si dhe laboratorin e shkencave të natyrës me kabinet.

Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për projekte të reja sikurse ky. Deri në fund të vitit, çerdhet do të hapen edhe në Prizren e në Suharekë, ndërkaq, në vazhdën e këtyre punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave pritet të bëhen çerdhe edhe në Junik, Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.

Në këtë ceremoni, morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Zëvendësministri Agon Dobruna, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola, deputetët Agon Batusha dhe Fridon Lala, si dhe përfaqësues të fshatit Ponoshec.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)