07 Prill 2020

Kosova ndërpret mësimin në të gjitha nivelet

Prishtinë, 11 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot në orët e mbremjes ka vendosur që në përputhje me vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie në nivel global në lidhje me koronavirusin e ri, t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet deri më 27 mars.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija tha se deri më tani, nga 82 personat dyshuara për koronavirus, asnjë nuk ka rezultuar pozitiv me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri, por masat janë ndërmarrë në përputhje me rekomandimet e OBSH-së dhe numrin në rritje të rasteve në vendet përreth Kosovës.

Përveç mbylljes së institucione arsimore, Qeveria e Kosovës ka marrë edhe masa të tjera, duke pezulluar linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor në vendet ku është përhapur koronavirusi. Po ashtu, aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen pa praninë e publikut.

 

Më poshtë gjeni masat parandaluese të miratuara nga kabineti qeveritar:

1.      Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2.      Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).

3.      Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

4.      Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5.      Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.

6.      Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

7.      Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

8.      Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9.      Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10.  Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

11.  Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Prill 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. (Qendra Operative Emergjente tek kampusi i shkollave të mesme, ora 9:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli viziton Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën e Ferizajt. (Ferizaj, ora 11:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli takohet me një grup biznesmenësh nga Ferizaj. (Ndërtesa e re e Komunës se Ferizajt, ora 12:00)

- Sindikata e Pavaur e Sektorit Privat të Kosovës mban takimi me ministrin e financave Besnik Bislimi. (Ndërtesa e Ministrisë së Financave, ora 13:30)