16 Prill 2024

Kosova fillon me lehtësimin e masave te izolimit

Prishtinë, 30 prill - Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka bërë të ditur se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Heqja e kufizimeve do të bëhet në tri faza. Faza e parë nga 4 maj  deri në 18 maj. Do të zgjerohet  orari i lëvizjes nga 1.5 në tri orë, njëra paradite njëra pasdite. Gjithashtu hapim këto pjesë të  ekonomisë: Ndërtimtaria, patundshmëria, tregtia me pakicë, zyret konsulencës, dhe orari, ndërkaq lista e veprimtarive do të publikohet”, ka thënë ai.

Faza e parë përfshin periudhë nga 4 maj deri 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset si; ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht, tregtia me pakicës, pjesërisht, riparimi i artikujve personal dhe i orendive, zyrat e konsulencës

Faza e dytë, fillon nga 18 maj deri më 2 qershor dhe të fillojë operimi i bizneseve si; tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Kurse faza e tretë hynë në fuqi më 2 qershor – deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në Arsimin e Lartë, Testi i Maturës dhe Arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove, hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Ministri në detyrë ka thënë se virusi nuk duhet të injorohet.

“Përkundër progresit, nuk e kemi zhdukur virusin. Nuk do të kemi situatë normale këtë vit dhe sa më parë që e kuptojmë këtë, do të jetë më e lehtë që ta kalojmë sa më shpejt. Nuk do të ketë ditëlindje me miq, fejesa e martesa e ndoshta e as ceremoni mortore. Vit i distancës prej 2 metra, i dorëzave dhe maskave”, ka thënë Vitia para gazetarëve.

Masat do të lehtësohen, ka thënë Vitia varësisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas tij, nga 4 maji qytetarët do të mund të lëvizin më shumë, nga 1.5 orë në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite.

“Arritëm që ta ulim përqindjen e të infektuarve. Falë kësaj, tash mund të zbusim këto masa. Do të kemi ditë të mira me më pak të infektuar ashtu si do të kemi të vështira me më shumë të infektuar, por mbesim me shpresë që masat e reja do të na çojnë përpara e jo mbrapa”, ka thënë Vitia.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se biznesët duhet t’i rikthehen funksionimit të tyre, por u kërkon biznesëve të respektohen masat në mënyrë strikte, ashtu që të mund të arrihet faza e dytë kur do të lehtësohen edhe më shumë masat.

“Në tri fazat e rikthimit, duhet të respektohen strikt masat mbrojtëse dhe distanca. Ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin, derisa të gjendet zgjidhja. Unë i lus të gjitha biznesët të jenë strikt, ashtu që të kalojmë në fazën e dytë. Pjesa më e mirë e ekonomisë do të hapet javën tjetër, për të vazhduar edhe me të tjerat më vonë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje që të respektohen edhe masat e reja, në mënyrë që të tejkalohet edhe kjo fazë.

“Jemi në një etapë tjetër vendimtare, sepse situata është normalizuar dhe kemi kaluar një periudhë tri javore. Sot kemi një lehtësim të masave deri me 18 maj për bizneset dhe qytetaret, por gjithmonë në përcjellje nga epidemiloget tonë. Këto masa duhet të zbatohen në përpikmëri nga qytetarët dhe bizneset."

"Duhet të bëhet ndalimi në ahengje, dasma, grumbullime familjare. Prej 15 prillit kemi pasur 200 raste të reja por mund ti shmangeshim nëse do ti përmbaheshim masave. Në komuna të ndryshme bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe kemi pasur suksese dhe sot situata shihet me një dritë në fund të tunelit. Ministria e shëndetësisë e ka parë të arsyeshme lehtsimin e disa bizneseve dhe qytetarëve. Ruajeni shëndetin tuaj sepse pakujdesia na kushton me jetë”, tha ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)