21 Prill 2021

Komuna mbulon shpenzimet e transportit për studentët e veriut

Mitrovicë, 23 tetor - Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, ka marrë vendim që të mbuloi shpenzimet e transportit për në Prishtinë për të gjithë studentët  e veriut të Mitrovicës.

Zyrtarët komunalë thanë se kjo është bërë me qëllim që sado pak t’u ndihmohet familjeve të veriut që jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe sociale.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili bashkë me drejtorin për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, kanë ndarë vendimet për këta studentë në  një takim të organizuar në ambientet e komunës, tha se kjo është një mbështetje modeste për studentët që jetojnë në veri, por që studiojnë në universitetin publik në Prishtinë.

“E kemi parasysh se nevojat e këtyre banorëve janë të mëdha, andaj ne jemi duke bërë krejt çka është e mundur që të jemi pranë tyre në të gjitha aspektet”.

Kryetari Kastrati, tha se për banorët e veriut nuk do të kursehet asgjë, meqë rrethanat në të cilat kanë jetuar dhe jetojnë në 12 vjet janë shumë të rënda.

“Jemi shumë të vendosur dhe të përkushtuar që në kuadër të mundësive tona të jemi përkrah këtyre banorëve në çdo kohë dhe situatë”, tha ai.

Ndërsa drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, nga drejtoria e të cilit do të paguhen shpenzimet për transportin e studentëve të veriut për në Prishtinë, tha se ky projekt është mirëpritur shumë nga studentët dhe banorët e veriut në përgjithësi.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e banorëve të veriut në mënyrë që bashkërisht të përcaktojmë prioritet për nevojat që kanë”.

Tha se nga ky projekt do të përfitojnë 28 studentë të veriut, të cilët jetojnë në lagjet e  qytetit, si në “Lagjen e Boshnjakëve”, Kodrën e Minatorëve, “Tre rrokaqiejt”, “7 Shtatori” dhe “Kroin e Vitakut”. 

Por sqaroi se përfitues nga ky projekt do të jenë edhe studentë nga tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit, mandej edhe nga fshatrat shqiptare të Zveqanit.

Jashari thotë se nga drejtoria e tij do të mbulohen shpenzimet e transportit për secilin studentë për 6 ditë në javë.

“Ky projekt përfshin gjithë vitin akademik dhe vlera e tij është rreth 10 mijë euro”.

Përveç këtij projekti, ai tha se komuna këtë vit banorët e veriut i ka ndihmuar edhe me ndihma ushqimore, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar pas vendosjes së bllokadave nga grupet kriminale në veri.

“Para rreth një muaj kemi ndarë ndihma ushqimore për të gjitha familjet shqiptare që jetojnë në veri. Përveç shqiptarëve ndihma kanë marrë edhe shumë familje të komuniteteve tjera”.

Në kuadër të angazhimeve për veriun, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka nisur të mbështes organizimin e transportit për banorët e Kroit të Vitakut. Ndërsa tash së voni ka nisur edhe procesi i rindërtimit të shtëpive në veri, pas ndarjes së një fondi prej 900 mijë eurosh nga Qeveria e Republikës së Kosovës. 

Banorët e veriut janë shprehur shumë të kënaqur me këto projekte. Florent Azemi, përfaqësues i banorëve shqiptarë  të Lagjes së Boshnjakëve, tha se  aktivitetet që janë ndërmarrë kohëve të fundit nga komuna janë mirëpritur nga banorët.

“Në përgjithësi gjendja ekonomike e banorëve është e rëndë, andaj çdo ndihmë është e mirëseardhur”.

Ai tha se përveç tjerash rëndësia e këtyre projekteve që kanë të bëjnë me banorët e veriut, ka edhe simbolikën e fuqishme në këtë pjesë të Kosovës.

“Shqiptarët e veriut kanë nevojë që mos të ndjehen të harruar dhe të anashkaluar prej institucioneve vendore. Konsiderojmë se këto aktivitete që janë ndërmarrë kanë shtuar besimin e banorëve për institucionet e Republikës së Kosovës”.  




Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Prill 2021 - Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Bleron Ramusholli për vepren penale 'Dhunimi'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mban mbledhjen e radhës në të cilën do të behët shqyrtimi i Programit të Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 10:00)